
TIRANË- Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama ka folur edhe për tensionet në Kosovë-Serbi. I pyetur nga gazetarët, Macron u shpreh se pret që javët në vijim të rinisë dialogu Kosovë-Serbi. Referuar akuzave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se BE po mban anën e Serbisë, Macron u shpreh se Bashkimi Evropian kërkon që të ketë avancime konkrete mbi çështjen politike, mbi zgjedhjet e komunave, për çështjet e sigurisë.
“Udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun Kosovë-Serbi. BE është legjitime për të kërkuar që të ketë avancime konkrete mbi çështjen politike, mbi zgjedhjet e komunave, për çështjet e sigurisë. Ekzigjenca nuk është humbje besueshmërie. Duhet të dalë nga kjo ballë përballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhme të rifillojmë dialogun me Prishtinën dhe Beigradin, sepse secili vend është përballur me vështirësi politike e sociale për të bërë të mundur avancimin. Është e rëndësishme për gjithë rajonin. Mendoj se kërkesat janë legjitime, s’mund të lëmë të vendoset një dialog i tërthortë, nuk është mënyra korrekte për të avancuar. Të paktën kemi një vullnet për qëllimin e avancimit për sigurinë e Europës. Për bashkimin e saj duhet ta bëjmë këtë udhë, por është legjitime të kemi ekzigjenca për këtë gjë. Nuk është ide e mirë kurrë kur mundohemi t’i përçajmë linjat apo të vëmë në dyshim procesin. Do vazhdojmë të ecim, do t’i riangazhojmë, ne do shkojmë krahas partnerëve europianë që gjërat të avancojnë në Kosovë”, Macron./ZËRI