
TIRANË- Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, është autorizuar për të marrë pjesë sot në konferencën e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvend, duke shënuar kështu takimin e parë PS-PD. Pas përfundimit të takimit, Gazment Bardhi menjëherë i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit, atje ku edhe do të zhvillohet takimi. Por takimi i sotëm i deputetëve në selinë blu, nuk ka kaluar pa debate. Ishte deputeti Tritan Shehu, ai që kërkoi që opozita të mos mjaftohej vetëm me 'marrjen' e 2 Komisioneve Hetimore, por të vazhdonin betejën për lirimin e kryedemokratit Sali Berisha. Sipas tij, aksioni opozitar në Kuvend duhet që të vazhdojë.
Komentit të tij iu përgjigj kolegu Bledion Nallbati, i cili nuk e kurseu ironinë duke i përmendur se nuk ka qenë aktiv përgjatë 6 muajve të përplasjeve që kanë ndodhur në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
DEBATI MES TYRE:
Tritan Shehu: Aksioni opozitar të vijojë dhe po na plotësuan kërkesat. Duhet të kërkojmë lirimin e Sali Berishës. Ne duhet të shpëtojmë Sali Berishën dhe për këtë duhet të vazhdojmë aksionin opozitar. S’kanë fare rëndësi këto që marrim (kupton komisionet hetimore)
Bledjon Nallbati: Shumë dakord me Tritanin, të vazhdojmë aksionin, por me një kusht që ti të jesh në ballë. Ik more, ti nuk ke bërë asgjë në Kuvend dhe flet këtu për aksionin!
Tritan Shehu: Mos më fol mua ashtu.
Por pretendimet për një përplasje mes tyre i ka hedhur poshtë vetë Shehu. Pas përfundimit të mbledhjes, qëndroi për të dhënë një prononcim për mediat, duke u shprehur se asnjë debat nuk ka pasur. Madje ka shtuar se kësaj here, "çimkat" nuk kishin raportuar siç duhet atë që kishte ndodhur në mbledhje. Por megjithatë përsëriti se fokusi i opozitës duhet të jetë lirimi i Sali Berishës dhe aksioni.

"Unë kam thënë edhe nëse jepen komisionet, nuk janë suksese. Por ama mos mendojmë se nëse marrim 2 komisione do kemi sukses. Ne suksesin nuk e kemi me Ramën, por ndaj elektoratit tonë. Gjendja është përkeqësuar me burgojsen e Berishës. Mund të ketë alternativa, fantazi. Por ama mos mendojmë se nëse marrim dy komisione arrijmë suksesin. Suksesin nuk e kemi me PS-më por me elektoratin tonë, kur ne na përkrahin ashtu si në protestë. Nuk e di këtë gjë. Siç duket çimkat nuk kanë punuar mirë kësaj radhe. Unë flas mendimet e mia, realisht duhet të koncentrojmë aksionin tonë në atë që është më tragjike. Izolimi politik i kryetarit të partisë. Ky aksion duhet bërë brenda dhe jashtë parlamentit. Unë nuk thashë as kaos, as bllokim, duhet koncentrim për të kundërshtuar burgosjen e kryetarit të partisë. Kështu do të vepronte çdo parti. Kjo është kauza jonë,"-tha në fjalën e tij, Tritan Shehu.
Por ky nuk ka qenë debati i vetëm. Edhe deputeti Ervin Salianji është shprehur kundër vendimit për të diskutuar me socialistët duke ngritur disa pyetje që Flamur Noka iu përgjigj se kanë pranuar negociata, pasi kjo tregon se PS i njeh ata si realitet politik. Ndërsa për Luan Baçin, i vetmi shqetësim ka qenë nëse kryedemokrati Berisha ishte në dijeni të këtyre lëvizjeve.
Gazment Bardhi: Siç jeni njohur nga media, ditën e premte kam pasur një ftesë nga Lindita Nikolla për t'u takuar në mënyrë informale me kryetarët e grupeve për t'i dhënë zgjidhje krizës parlamentare, pasi jam konsultuar me kryetarin e PD-së, zotin Berisha dhe me nënkryetarët e tjerë, vendosëm që të marr pjesë.
Salianji: Vendimi për bisedimet ose “negociatat” ne keto kushte është dëmtues për Partinë Demokratike dhe për opozitën! Këtë që po marrim sot, uljen ne konferencën e kryetarëve ne e kishim dhe ju e propozuat qe ta refuzojme dhe mos ulemi. Perceptimi që do krijohet është që krijuam sherr për 5 muaj që të ulemi me Ramës, ne nuk mund të bëjmë sherr për tu ulur me Ramën! Ne në normalitet nuk kthehemi se jemi ulur me Ramën por nëse e vendosim vetë. Por nëse hyjmë në normalitet vetëm se u ulëm me Ramën do krijojmë perceptim dëmtues për opozitën dhe do dukemi joseriozë, ashtu siç ka ndodhur shpesh në këtë parti që duket se radikalizohemi vetëm për vëmendjen e Ramës. A është qeveria që thotë që me mbarimin e afatit të komisionit bipartizan të Reformës Zgjedhore do ta kalojmë tek Ligjet? Çfarë fitojmë nga ky aksion? Po bëjmë lëvizje të gabuara dhe me pasoja...
Flamur Noka: Ne sot jemi pranuar si palë dhe si realitet politik. Aksioni pati sukses sepse ju imponuam qeverisë dhe tani do merremi me terrenin. Ata pranuan që ne jemi PD.
Salianji: Kam dy pyetje se s'bëj dot me sikur, ore e quani aksionin e deritanishëm të suksesshëm, atëherë pse nuk e vazhdojmë? Se dhe i suksesshëm dhe e lëmë sikur nuk shkon! Si qenka sukses kur po ulemi aty ku kemi refuzuar? Si e njohën tani realitetin, se Gazi ka qenë gjithmonë i ftuar në mbledhjet e Kryetarëve. Jam i mendimit që po ndërmarrim lëvizje të gabuar. Imagjino të dështojnë negociatat e sotme, do themi se na e hodhi Rama për të 100 herë.
Luan Baçi: A është pyetur Sali Berisha dhe as është në dijeni të negociatave dhe atyre që ka kërkuar PD?
Gazment Bardhi: Jam konsultuar me ish-kryeministrin Berisha dhe ai është në dijeni të gjithçkaje.
Komisioni për Reformën Zgjedhore ka qenë dhe molla e sherrit mes PD-së së Berishës dhe PS-së. Kjo për shkak se PD kërkoi ndryshimin e bashkëkryetarit të këtij komisioni, duke zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Oerd Bylykbashin. Kjo kërkesë nuk u pranua nga mazhoranca, dhe tashmë Komisioni i Posaçëm për Zgjedhoren është duke i mbajtur mbledhjet online, pa pjesëmarrjen e një pjese të mirë të opozitës. Por aksioni i opozitës në Kuvend ka nisur që në muajin tetor, duke radikalizuar aksionin me përdorimin e flakadanëve dhe ndezjen e zjarreve. Që nga tetori, asnjë seancë plenare nuk është zhvilluar si zakonisht, pasi opozita pretendonte se maxhoranca po u mohonte të drejtat për ngritjen e Komisioneve Hetimore. 2 prej të cilave, përflitet se do të bien dakord sot, duke marrë edhe mbështetjen e socialistëve. Ndërsa sa i përket "Zgjedhores", priten rezultatet e negociatave të sotme./ZËRI