
TIRANË- Zbardhen detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Fillimisht fjalën e ka marrë kreu i grupit, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se dy temat që do të diskutohen; ishin ajo për marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët, dhe së dyti aksioni i opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas gazetarit Osman Stafa, Bardhi propozoi edhe që marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Propozoj dy çështje për të diskutuar në mbledhjen e sotme. E para lidhet me çështjen e marrëveshjes së emigrantëve dhe tjera për aksionin opozitar. Se pari, mendoj se bazuar në analizën e ekspertëve, propozoj që marrëveshja të dërgohet para ratifikimit në Gjykatën Kushtetuese. Unë besoj se opozita e ka për detyrë të mbrojë interesin publik. Megjithatë jam i hapur për të dëgjuar vlerësimin e secilit koleg. Sa i takon aksionit opozitar besoj se qëndresa jonë i shërben interesit të qytetarëve dhe ajo duhet të vijojë edhe më fuqishëm”, ka deklaruar ai.
Çështja e emigrantëve zgjati gjatë si diskutim. Deputeti i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti tha se opozita duhet të protestojë dhe të ngrejë zërin fuqishëm për të kundërshtuar marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë. Ndaj edhe hodhi idenë që të protestohet nga opozita, në mënyrë që populli mos të dalë vetë në tubime, pasi ndryshe PD, humbet rolin e saj.
“Nuk është mirë që Shqipëria të mbaj njerëz të cilët janë në nevojë në hall, të kthehet në kampe, ose të jetë një vendparkimi për Europën. Kjo është ndodhia më e madhe për Shqipërinë në këto 30 vite demokraci, sipas këndvështrimit tim. Sepse asnjë vend nuk e ka pranuar këtë marrëveshje. Në radhë të parë liderët shqiptarë duhet të mësohen që nuk mund të bëjnë marrëveshje mbi Shqipërinë, sikur ta kenë pronë të tyre. Nuk shkon kjo në këtë mënyrë, që ulesh, kushdoqoftë, ulesh në disa dreka e disa darka dhe ti vendos mbi territorin shqiptar, mbi të ardhmen e shqiptarëve. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë, në këtë mënyrë jo. Ne jemi shqiptar, ne jemi opozita shqiptare, përfaqësojmë interesat e shqiptarëve. Interesat e shqiptarëve janë të parat mbi të gjitha, patjetër Italia është një vend shumë i rëndësishëm, aleat, mik, por mbi të gjitha qëndrojnë interesat tona dhe kjo më shumë është një lëvizje politike, ku edhe në Itali ka kundërshtarë. Mendoj së Shqipëria nuk e përballon dot këtë, nuk ka kapacitet ta përballojë këtë marrëveshje, nuk është mirë që Shqipëria të mbaj njerëz të cilët janë në nevojë në hall, të kthehet në kampe, ose të jetë një vendparkimi për Europën. Ne si opozitë në momentin që kjo marrëveshje të kalojë në Parlament duhet të protestojmë. Nuk mund të protestojmë më fort për komisionet dhe të mos protestojmë për një gjë që bën kaq shumë lajm në Shqipëri. Opozita ka për qëllim që shqetësimin e popullit, zemërimin e shoqërisë, ta kthejë në kauzë, ky është roli i opozitës. Mendoj se kjo është një detyrë e opozitës shqiptare, të qëndrojë dhe të mbrojë interesat e shqiptarëve. Po sikur populli të çohet dhe të dalë në rrugë në protestë, ne nuk legjitimohemi më si opozitë. I ke rastet konkrete, çfarë ndodhi në Lampeduza, u shkatërrua ai vend. Si? Nuk shkoi më turist në atë vend. Kjo gjë mund të ndodhë edhe me Lezhën. Ne nuk mund të mbajmë problemet e të tjerëve. Nuk ka një emigracion drejtpërdrejt në Shqipëri. Shqipëria po zgjidh në këtë rast, jo një situatë humanitare, por një problem politik në Itali. Si mundet Shqipëria të marrë dhe të zgjidhë një problem global të emigrimit teksa është vetë prodhues i emigracionit? Shqipëria është një vend shumë i vogël, për të zgjidhur një problem kaq të madh”, ka deklaruar Alizoti.
Por pas tij ka ndërhyrë Xhelal Mziu, i cili i është drejtuar Tritan Shehut (i cili tha se nuk do ta hidhte firmën) duke i thënë se duhet të jenë një zëri të gjithë për këtë marrëveshje. Por i lindën probleme pasi u hodh dyshimi se me kundërshtimin e marrëveshjes, opozita mund të ndikonte në prishjen e marrëdhënieve bilateriale me Italianë. Ndaj Ina Zhupa mbështeti mendimin që ta dërgojnë çëshjen në GJK, që në çdo rast të kenë edhe vendimin e saj për mbështetje. Në të kundërt, do të japin vetëm verdiktin e tyre.
Pjesë nga diskutimet:
Gjekmarkaj: Unë nuk jam për konflikt me Italinë për çështjen e refugjatëve, si shumëkush kam afilazione me këtë vend, por interesat e vendit tim prevalojnë atëherë rruga më e mirë për të shqyrtuar legalitetin e saj është kalimi nëpër Gjykatën Kushtetuese.
Tritan Shehu: Unë nuk e firmos!
Xhelal Mziu: Funksionojmë si grup apo jo? Nëse jemi grup duhet të firmosim të gjithë. Nëse nuk jemi grup dhe nëse do shohim interesat personal tonat, atëherë pse e quajmë veten grup? Duhet të firmosim të gjithë
Tritan Shehu: I vetmi autoritet që unë njoh këtu është Sali Berisha. Unë nuk jam pjesë e grupit parlamentar të PD-së, se mua më kanë përjashtuar.
(deputetët qeshin)
Salianji: Grupi parlamentar ka rregullore, ky është hap dhe akt real sepse ne nuk mund të bëjmë beteja me gjasme. E kemi kundërshtuar në publik këtë marrëveshje, e kundërshton opozita në Itali, e kundërshtoi Salvini që është partner koalicioni dhe po ashtu thuajse çdo organizatë që mbron të drejtat e njeriut.
Ina Zhupa: Marrëveshja me Italinë nuk është në përputhje me interesin kombëtar, të shqiptarëve dhe as me kushtetutën. Juridiksionin në territorin tonë e kemi vetëm ne edhe maksimumi Nato, për misione të përbashkëta. S’mund t’i japim pjesë të territorit tonë asnjë shteti tjetër, sa do mik ta kemi. Kur vjen puna të zgjedh mes Shqipërisë dhe çdo shteti tjetër, unë zgjedh interesat e vendit tim. Ky është realizmi dhe në marrëdhënien ndërkombëtare, ashtu do zgjidhnin edhe ata para nesh. Edhe për këtë mendoj biem dakord të gjithë. Përsa i përket prishjes së marrëdhënieve të mundshme me Italinë, nuk qëndron. E para se PS çoi në Kushtetuese marrëveshjen me detin dhe nuk prishi ndonjë marrëdhënie me Greqinë, përkundrazi ato kohë edhe i forcoi. Së dyti çuarja në kushtetuese përkundrazi na bën më të ndershëm me Italinë, që ne nuk e kemi sulm politik, por lidhet me kushtetutën e vendit dhe do flasë gjykata. Ne të marrim përsipër që do respektojmë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.
Asllan Dogjani: Ne s’na votojnë italianet, ne na votojnë shqiptarët. Opozita italiane ka dalë kundër kësaj marrëveshje. Dhe ne mos të çojmë në Gjykatën Kushtetuese?! Ata po i sjellin emigrantët në një burg këtu. Unë do e firmos kërkesën për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje.
Berisha: Absurdi është që një parti e majtë në Shqipëri bashkëpunon me një të djathtë në Itali. Vetë e majta në Itali po e kundërshton. Unë mendoj që rruga më e drejtë është kjo që propozohet, që ta kontrolloj Gjykata Kushtetuese. E kuptoj shqetësimin e Tritanit, por mendoj se është e arsyeshme si rrugë. Se ne jemi kundër, por nëse marrëveshja ratifikohet ajo pastaj duhet të zbatohet edhe nëse jemi ne në pushtet. Por nëse Gjykata Kushtetuese vendos, ne pastaj kemi vendimin e Gjykatës për të mos pranuar marrëveshjen.
Më pas, fjalën e mori kryedemokrati Sali Berisha, i cili tha se deri më tani kanë arritur shumë me aksionin e tyre, por duhet që të ruhen. Një është objektivi i tyre sipas Berishës. Sipas tij, me çdo kusht, Gazment Bardhi nuk duhet që të përjashtohet nga Kuvendi. Ndër të tjera sqaroi para deputetëve edhe çështjen e tij në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas tij, gjyqtarja Irena Gjoka ka gënjyer për Vettingun, duke ngulmuar në akuzat e ngritura ndaj saj, ndërsa shtoi se do të vazhdojë përballen ndaj kryeministrit edi Rama.
"Dua të falenderoj të gjithë deputetët e opozitës. Kemi pas shumë sukses në aksionin tonë në Parlament. Kemi arritur që lajmi të bëj jehonë në shumë media ndërkombëtar. Për vazhdimin e aksionit, duhet të bëjmë kujdes më përjashtimet. Bardhi nuk duhet të përjashtohet në seancën e radhës. Dua t’ju informoj për procesin tim. Gjyqtarja ka gënjyer në vetting, që nuk është shkarkuar nga unë në vitin 1996. Unë do të vazhdoj t’i bëj gjyq publik Edi Ramës për aferat dhe korrupsionin e tij dhe familjarëve të tij," ka deklaruar Berisha.
Prej seancës së datës 19 Tetor, opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, me pretendimin se do të rikthejnë parlamentarizmit, pas refuzimit që i ka bërë PS disa prej kërkesave të tyre, që është ngritja e komisioneve hetimore, si dhe zgjedhja e bashkëkryetarit të komisionit për Reformën Zgjedhore. Në seancën e datës 19 Tetor, opozita u ngujua në sallë për disa orë, ku mungonte energjia elektike, pasi fillimisht kishin zaptuar karriget e ministrave.
Ndërkohë që në seancën e datës 30 Tetor, pati dhe përplasje fizike mes palëve, ku Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht deputetin Vullnet Sinaj, çështja mes të cilëve është marrë nën hetim nga SPAK. Aksioni i opozitës në Kuvend, nisi vetëm 2 ditë përpara se Sali Berisha të merrej nën hetim nga SPAK për korrupsion, ndërkohë që u vu në pranga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Maxhoranca nga ana e saj ka kaluar ligjet në Kuvend, mes tymit dhe tensioneve, ndërkohë që vetë kryeministri Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm në asnjë prej seancave që janë zhvilluar./Zëri.ai