
TIRANË- Kryesia e Partisë Demokratike nuk ka prodhuar asnjë surprizë! Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë caktuar drejtuesit politikë në 12 qarqet e vendit, ku nuk ra në sy asnjë ndryshim përveç spostimit të Edmond Spahos nga qarku i Korçës dhe Luan Baçit nga Fieri. Madje dje, ky i fundit doli publikisht kundër vendimit duke kundërshtuar dërgimin e Gazment Bardhit në Fier.
Gjithashtu, bie në sy se pa post mbetet edhe Bardh Spahia, i cili do të 'ndihmojë' në Shkodër Luçiano Boçin vetëm si anëtar i Partisë Demokratike. Prezantimin e drejtuesëve politikë e bëri Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, fill pas fjalës së kryedemokratit Sali Berisha. Ky i fundit, edhe pse në "arrest shtëpie" sërish u lidh via-Zoom me demokratët që ndodheshin në sallën e mbledhjeve.
LISTA E PLOTË ME DREJTUESIT POLITIKË:
Tiranë- Belind Këlliçi
Durrës- Oerd Bylykbashi
Lezhë- Agron Gjekmarkaj
Shkodër- Luçiano Boçi
Fier- Gazment Bardhi
Kukës- Flamur Hoxha
Dibër- Xhelal Mziu
Elbasan- Ervin Salianji
Korçë- Ivi Kaso
Berat- Eno Bozdo
Vlorë- Bujar Leskaj
Gjirokastër- Tritan Shehu
Ndërkohë që lajmi ishte vendimi që komunikoi ish-kryeministri Sali Berisha, i cili njoftoi se kandidatët për deputetë do zgjidhen me primare nga anëtarësia.
"Dhe meqë jam këtu, unë ju lutem shumë të sqaroni çdo anëtare dhe anëtar tonin dhe çdo qytetar dhe qytetare, se ajo që votuat në parlament nuk ka asnjë lidhje me problematika e mëdha të zgjedhjeve, të cilat kanë rrënuar barazinë e zgjedhjeve, karakterin e tyre, kanë siguruar kontrollin e vullnetit të qytetarëve nga qeveria. Me këtë rast, dua të them se ishte PD ajo që ia doli të votojë respektimin e së drejtës kushtetuese të mbi 1.5 mln shqiptarëve që ndodhen jashtë shtetit. Dhe unë besoj se, asnjë demokrat nuk duhet të imagjinojë se një parti e lirive dhe të drejtave të qytetarëve do mund t’i lejonte vetes t’i bëhej shkak që ajo e drejtë themelore kushetuese t’ju mohohej qytetarëve shqiptarë në kohën që ajo e kishte shpallur publikisht atë që nga viti 2012 e në vazhdim,"-tha Berisha.
Aksioni opozitar kundër qeverisë dhe bashkimi i demokratëve ishin në fokus të mbledhjes, në nisje të sezonit politik të vjeshtës dhe në prag të vitit elektoral. Në fjalën e tij, Berisha bëri një rezyme të sfidave që PD ka kaluar në vitet e fundit dhe vlerësoi faktin që palët janë bashkuar. Ndër të tjera në fjalën e tij, Berisha e vuri theksin te zgjedhjet parlamentare të 2025-ës duke u shpreh se qëllimi i PD-së është të kthejë votën e lirë te qytetarët. Berisha shtoi se edhe pse PD e ka në Statut të ligjëruar mospjesëmarrje në zgjedhje, shtoi se PD e ka për detyrim që të përfaqësojë shqiptarët në votime.
"PD ka si alternativë mospjesëmarrjen në zgjedhje, gjë e cila është e ndaluar me shumë të drejtë në statutin e saj. Ju garantoj të dashur demokrate e demokratë se Edi Rama do të festonte në qoftë se do t’i lejonim vetes një vendim të tillë. E megjithatë, zonja e zotërinj, anëtarë të Kryesisë, deyrimi ynë absolut para demokratëve, para shqiptarëve, është kthimi i votës së lirë te shqiptarët. Dhe ky kthim i votës së lirë realizohet vetëm em një qeveri teknike, largimin e Edi Ramës dhe procedimin në krijimin e një qeverie teknike.
Asgjë nuk mund të lemë pas zgjedhjeve dhe të provojmë atë që provuan opozita në Venezuelë. Dje, Rama i Venezuelës, Maduro, arrestoi me akuzën për aktivitet terrorist kryetarin e opozitës, i cili fitoi zgjedhjet me 70%. Shembulli i Venezuelës duhet të jetë një ëmsim i madh për ne. Pra, nga secili prej jush, nga të gjithë ne, qytetarët presin rikthimin e votës së lirë. A jemi ne në gjendje të mbushim aktualisht këtë mision? Jo! Ne nuk jemi. Por, a është ky një mision i pamundshëm? Absolutisht, nuk është i pamundshëm. Ky mision kërkon nga ne të motivojmë, të angazhojmë,të frymëzojmë çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar në një lëvizje të fuqishme që nuk e ka njohur më parë Shqipëria gjer në realizimin e qëllimit tonë. Ne jemi së bashku udhëheqja kryesore e opozitës,"- tha ndër të tjera Berisha.
Në fund, kryedemokrati dha porosi se deputetët duhet të qëndrojnë pranë çdo qytetari./ZËRI