Politikë

Tenderat sekretë gjatë COVID/ SPAK regjistron procedim për Manastirliun, ministrja e parë që hetohet gjatë qendrimit në detyrë

Kallëzimi është bërë në SPAK nga deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.

k.m.
Tenderat sekretë gjatë COVID/ SPAK regjistron procedim për
Ogerta Manastirliu

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë nën hetim për herë të parë një ministre të kabinetit të kryeministrit Edi Rama. Bëhet fjalë për ish-ministren e Shëndetësisë dhe atë aktuale të Arsimit, Ogerta Manastirliun. Kallëzimi ndaj Manastirliut është depozituar që në vitin 2020 nga deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila aktualisht është edhe kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë. 

Kjo e fundit e akuzonte ministren Manastirliu për abuzime me tenderat që cilësoheshin si "sekretë" në kohën kur vendi po përballej me pandeminë e koronavirusit. Procedimi penal mban numrin 81 dhe ka nisur që në vitin 2024 dhe në dosje, ministrja akuzohet se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Megjithatë deri më tani nuk ka asgjë të konfirmuar zyrtarisht nga ana e SPAK lidhur me çështjen e Manastirliut.

ZËRI kontaktoi me deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila bëri me dije se deri më tani nuk është thirrur ende nga SPAK për të dhënë sqarime lidhur me pretendimet e saj për ministren. 

"Kam bërë kallëzim për abuzimin me tenderat sekretë gjatë COVID-19. Unë ende nuk jam marrë në pyetje si kallëzuese. Kam dërguar bashkangjitur tek kallëzimi në SPAK, të gjithë informacionin që kam mundur të disponoj. Megjithatë kam qenë dhe jam gjithnjë në dispozicion të organit të akuzës,"-tha Vokshi për ZËRI

Lidhur me këtë kallëzim të bërë nga ana e deputetes së PD-së, më 19 shkurt, Ogerta Manastirliu u thirr në SPAK ku dëshmoi për mbi 2 orë para hetuesëve të SPAK. Pasi doli nga ambientet e SPAK, ministrja u pyet nga mediat e pranishme në cilësinë e personit që ka dijeni mbi çështjen e sterilizimit në kohën kur ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) por shtoi se nuk jepte dot më shumë detaje pasi çështja ishte "sekret hetimor". Pas Manastirliut, në qershor, po nga SPAK u thirr për të dëshmuar edhe Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së. Bino dëshmoi për gati 1 orë dëshmoi para prokurorëve të SPAK në lidhje me një tender të ISHP-së, në cilësinë e personit që ka dijeni pasi ka qenë dhe drejtoreshë e këtij institucioni gjatë periudhës së pandemisë.

Tashmë që çështja është e konfirmuar se është nën hetim, Manastirliu është e para ministre që është nën hetim nga SPAK gjatë kohës që është ende në detyrë. Kolegët e saj, Arben Ahmetaj, Frida Krifca, Ilir Beqaj, e të tjerë janë hetuar gjithashtu, por pasi e kanë lënë postin që mbanin në kabinetin Rama./ZËRI

Poll

MOS HUMB