
SPANJË – Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Spanjë, ka folur për konfliktet që vazhdojnë të jenë të ndezura në Europë, duke përfshirë dhe atë mes Serbisë e Kosovës.
Michel tha se konfliktet janë problem për të gjithë kontinentin dhe jo vetëm për shtetet që janë përfshirë. Ai shtoi se samiti duhet të luajë rol me rëndësi në uljen e tensioneve, kudo ata ekzistojnë.
“Samiti ka në fokus që konfliktet e hapura në kontinent të ulen sa më tepër. Dy konflikte kanë qenë vërtetë problematike për Europën, ai mes Azerbajxhanit e Armenisë, si dhe ndërmjet Serbisë e Kosovës.
Konfliktet janë një problem jo vetëm për palët që janë të përfshira, por edhe për rajonin dhe kontinentin europian. Samiti duhet të na ndihmojë që të ndërtojmë ura mes nesh dhe jo ndarje”, deklaroi Charles.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj bëri thirrje që Europa të dënojë Serbinë, për agresionin në Banjskë të Zveçanit.
Në Granada në Spanjës po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian. Në këtë samit marrin pjesë liderë të vendeve europiane. Në të po diskutohet për konfliktin ndërmjet Azerbajxhanit e Armenisë, atë mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe tema të tjera që shqetësojnë Europën, si vala e lartë e migracionit./Zëri.ai/