
GRANADA – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një deklaratë të dhënë përpara mediave spanjolle në Granada të Spanjës, në Samitin e liderëve të vendeve europiane, deklaroi se vendet e Europës duhet të sanksionojnë Serbinë, pastaj Prishtina mund të bisedojë me Beogradin.
E pyetur nëse do e takonte Vuçiçin përpara se vendet e BE-së të vendosin sanksione ndaj Serbisë, Osmani tha: “Sanksionet ndaj Serbisë janë shumë të rëndësishme. Duhen sanksione fillimisht, pastaj të mund të ulemi në tryezën e bisedimeve”.
Osmani deklaroi se nuk ka planifikuar takime të veçanta me liderë shtetesh, por shtoi se shpreson që në samit të mund të flasë për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku.
Kryetarja e shtetit të Kosovës deklaroi se beson se Spanja është një vend që ka dhënë kontribute të çmuara për stabilitetin e Europës dhe se Madridi do ta kuptojë se Beogradi duhet që të dënohet për veprimet e tij.
“Spanja është një vend, që kontribuon në paqe e stabilitetin e Europës. Shpresojmë që të kuptohet se më datë 24 shtator, nuk mund të mbështetet një agresor si Serbia, shtet për të cilin ka prova të qarta se orkestroi një sulm terrorist në veriun e Kosovës. Spanja shpresoj se do të vendosë sanksione ndaj Serbisë, masë që nuk i shërben vetëm Kosovës, por Ballkanit, por edhe vetë Europës në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së përgjithshme”, u shpreh Osmani.
Çfarë ndodhi në veriun e Kosovës më datë 24 shtator?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat. Autorësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, i cili gjithashtu hoqi dorë nga posti si nënkryetar i Listës Serbe. /Zëri.ai/