
ITALI-Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi në margjinat e prezantimit të një raporti për tranzicionin energjetik nga Fondacioni Maire, foli edhe për kampet e refugjatëve që pritet të hapen në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës. Piantedosi deklaroi se qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës do të hapen në tetor.Këto deklarata ai i bëri gjatë prezantimit të një raporti për tranzicionin energjetik nga Fondacioni Maire.
“Fillojmë në tetor. Sigurisht që ka pasur disa muaj vonesë: ka pasur disa kontrolle normale për të cilat u zbulua, për shembull, se terreni duhej të përforcohej. Kjo është e gjitha”, tha ministri italian.
Duke folur mbi rrezikun e ankesave nga emigrantët e ndaluar në Shqipëri, Piantedosi theksoi se kjo është një rregullore që i paraprin asaj europiane, e cila do të hyjë në fuqi në vitin 2026.
“Ne nuk i trembemi sepse kjo është një normë me të cilën Italia parashikon një rregullore evropiane që do të hyjë në fuqi në vitin 2026. Do të ketë procedura të përshpejtuara kufitare me dëbime më të shpejta pa cenuar të drejtën për azil. Pastaj kontestet individuale trajtohen herë pas here”, tha zyrtari italian.
Qendrat ishin parashikuar të hapeshin me 1 shtator, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ndërsa ende nuk ka një datë tjetër fikse. Ndërkohë për punonjësit e qendrës është publikuar një rregullore e brendshme me 14 urdhëresa në total, për sjelljen apo raportin që duhet të kenë me popullin shqiptar gjatë qëndrimit të tyre apo ndërveprimit për shkak të punës.
Italia dhe Shqipëria arritën paktin pesëvjeçar. Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të strehojë emigrantë që do të shpëtohen në det, teksa Italia me procedurë të përshpejtuar do të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil. Dy qendrat ku do të vendosen emigrantët është dashur të funksionalizohen këtë javë, por për shkak të vonesave në ndërtim, hapja e tyre është shtyrë. Dy qendrat, që do të financohen dhe menaxhohen nga Italia, mund të akomodojnë deri në 3.000 migrantë që do të vijnë nga Italia përmes detit./ZËRI