
GREQI- Një ditë pas raundit të dytë të zgjedhjeve loakle, Kyriakos Mitsotakis do të vijë në Tiranë, ku pritet që të marrë pjesë në takimin që do të zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit. Këtë vit, takimi do të zhvillohet në Shqipëri, me "mikpritës", kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Takimi do të zhvillohet në një kohë kur dy vendet ende po përplasen për çështjen e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerit, që ka futur në përçarje Athinën dhe Tiranën zyrtare. Megjithatë, pavarësisht klimës së rëndë dhe paralajmërimeve të qarta greke se çështja Beleri do t'i vërë frena Shqipërisë në rrugën evropiane, Mitsotakis ka vendosur që të marrë pjesë.
"Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se është shkrirë akulli me homologun e tij Edi Rama, me të cilin patën një takim mjaft të vështirë në korrik, në margjinat e Samitit të NATO-s. Programi i zotit Mitsotakis dhe takimet e tij dypalëshe, natyrisht, ende nuk janë përcaktuar, ndonëse konsiderohet e vështirë për të që të ketë ndonjë kontakt tjetër përtej atij që pritet zyrtarisht me zotin Rama,"-shkruan Protothema, media e cila ka bërë publike lajmin.
Procesi i Berlinit është një samit i rëndësishëm që është një pikë kontakti mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve evropiane. Kësaj here do të mbahet në Shqipëri më 16 tetor. Pjesëmarrës pritet të jenë edhe vendet e tjera të rajonit, por kësaj here tensionet do të jenë më të ndjeshme, sidomos mes Shqipërisë dhe Greqisë; e midis Serbisë dhe Kosovës. Dy vendet janë përfshirë në një fazë të re përplasjesh, pas sulmeve që kishte planifikuar Milan Radoiçiç në Veri të Kosovës. Aktualisht Kosova po bën presion që ndërkombëtarët të ndëshkojnë Beogradin me sanksione. Ndaj në kushte të tilla (siç ka ndodhur edhe më parë), mund të ndodhë që përfaqësuesja e Serbisë në Samit, të jetë kryeministrja Ana Brnabiç./Zëri.ai