
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me bizneset i kërkoi atyre të deklarojnë pagat reale. Rama tha se mosdeklarimi i pagave është një problem dhe do të merren masa administrative ndaj atyre pronarëve që nuk e bëjnë këtë.
Rama shtoi se deklarimi i pagave duhet të bëhet me hapa të shpejtë në mënyrë që të parandalohet grabitja e pensioneve.
“Askush nga ne të mos shmanget detyrimeve që ka. Ne kemi detyrimin si qeveri që jeta e tyre të jetë sa më i qetë dhe ata që kryejnë punë në këtë vend, që paguajnë për punën kanë detyrimin që çdo qindarkë të çdo pagesë për çdo person që i takon pensionistëve, t’u shkojnë pensionistëve. Ky është detyrim i çdokujt që merr një pagë.
Për t’i rënë shkurt, kemi një problem të madh, pavarësisht përmirësimeve që janë bërë me deklarimin e pagës reale, një problem i madh që jemi të vendosur të mos presim përmirësimin gradual, por të kërkojmë një përmirësim të shpejtë. Dëshirojmë dhe besojmë që kompanitë nuk do jetë nevoja të vihen në presionin e masave të rënda administrative dhe me gjasë edhe penale për grabitjen e pensioneve. Është shumë e rëndë, turp shumë i madh. Është shumë e padrejtë e papranueshme dhe ne duhet të bëjmë atë që na takon,”- tha Rama. /ZËRI