Politikë

"Na fyeni inteligjencën"/ Rama niset drejt Budvës dhe zhvillon "dialog" virtual me studentin: S'është arrogancë...eja ballë për ballë

Kryeministri përsërit thirrjen për dialog, duke iu përgjigjur pyetjes së studentit se, është i gatshëm të përballet me këdo që ka kritika ndaj tij.

zh.ll
"Na fyeni inteligjencën"/ Rama niset drejt Budvës dhe
edi rama-studenti

TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë për në Budva, në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit që zhvillohet më 21–22 tetor 2026, ndërkohë që në Shqipëri vijojnë protestat mes tensioneve të vazhdueshme.

Ndërkohë, teksa është nisur rrugës për në Budva, kreu i qeverisë ka publikuar një video në rrjete sociale, ku është ndalur të protesta studentore duke iu përgjigjur pyetjeve të një studenti. Ky i fundit, përmes një video të bërë virale në rrjet, i drejton kryeministrit disa pyetje, ndërsa kreu i qeverisë i përgjigjet dhe e fton për dialog.

Kryeministri përsërit thirrjen për dialog, duke iu përgjigjur pyetjes së studentit se, është i gatshëm të përballet me këdo që ka kritika ndaj tij. Sa i përket dhunës, Rama shprehet se është policia është qëlluar me gurë e zjarr. Gjithashtu, studenti i përmend fyerjet dhe arrogancën, ndërsa sipas Ramës, "arrogancë është të pretendosh se një grup protestuesish përfaqëson të gjithë popullin". 

Biseda vijon duke iu rikthyer temës së 'Flamingove' dhe emrave qeveritarë nën hetim, të vendosur përballë drejtësisë. 

Pjesë nga 'dialogu' virtual

Studenti: Zoti kryeministër me kë doni që të dialogoni?

Edi Rama: Dua dialog me këdo që beson se unë jam i keq, ama dhuna është një armik i lirisë së të gjithëve.

Studenti: Me të rinjtë që policia i qëlloi me plumba gome dhe i mbyti me gaz lotsjellës? Apo me studentët që i mbani me premtime që nga 2018-a?

Edi Rama: Policia u qëllua me gurë dhe me zjarr e me lloj-lloj saçmesh e vidash, me llastiqe nga ato primitive dhe reagoi me gazlotsjellës dhe me ujë. E në ndonjë rast edhe me shkop e plumb gome, mjete të çdo policie në çdo vend demokratik. E kur policët e plagosur janë më shumë se dyfishi i protestuesve të plagosur, ndryshe nga të gjitha vendet ku ka ndodhur dhe ndodh këto ditë diçka e ngjashme, çdo pretendim për dhunë nga policia mbi studentët është djallëzor. Jam gati ta bëjmë bilancin e zotimeve të 2018-ës, ama ballë përballë dhe me fakte, jo me retorike.

Studenti: Mos ndoshta tani u kujtuat të flisnit me flamingot?

Edi Rama: Unë u kujtova tani të flas me flamingot?! Jo. Kam bërë dhe kam publikuar një reflektim të tërë, pasi i kam ndjekur, dëgjuar, analizuar dhe flas për ata të qershorit, se ata ishin për mua flamingot. Madje sot ndër të tjera rezultate të atij reflektimi ka edhe një dritare,  që lindi si pjesë e tij, “flamingo mirror.al”. Ndërkohë për katër muaj unë iu kam dëgjuar më shumë se kushdo. Unë atje lart në zyrë, ata poshtë dritare. “O në burg, o në litar”, fillonte puna ime në mëngjes me disa që rrinin atje te cepi i bulevardit dhe ulërinin dhe e mbyllnin në mbrëmjen me “burg” e me “poshtë komunizmi” e me plot bejte e përbetime e kërcënime.

Studenti: Dhe ju përsëri nuk e lini arrogancën mënjanë, përsëri përpiqeni të na fyeni inteligjencën, sikur ne nuk dimë të argumentojmë.

Edi Rama: Arrogancë është të thuash që populli nuk është ai që të votoi ty, por jemi ne poshtë dritares tënde që do marrim peng Tiranën, po nuk e braktise detyrën, pavarësisht se ke kontratë me shumicën e popullit shqiptar. Aq më tepër që unë nuk kam dëgjuar argumente, por kam dëgjuar sharje, kam dëgjuar ulërima, kërcënime për këdo që nuk mendon si ju, cilëtdo qofshin online, apo offline dhe manipulime të pafundme me ndihmën e duarve të atyre, që nuk e duan Shqipërinë të ngjitet më lart.

Studenti: Po ju i jap unë tre argumente: Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj.

Edi Rama: Më fal, ju jeni prokuror, jeni gjykatës apo jeni student? Dhe nëse jeni student, duhet të bëni kujdes pak nga ai profesori që ju ka mësuar të ngrini akuza kolektive duke rreshtuar emra, sepse ky vend ka vuajtur shumë nga idhullt e vrastarë të atij profesori që ju mëson mbrapsht.

Studenti: Sepse kur SPAK-u kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut, ju e mbrojtët atë.

Edi Rama: Jo! Ndryshe nga çfarë thonë ata që nuk dinë çfarë thonë, unë nuk mbroj kërkënd nga drejtësia, përkundrazi. Por në atë rast ne mbrojtëm drejtësinë nga njëanshmëria. Dhe koha na dha të drejtë, sepse refuzimi ynë për të pranuar, duke ngritur kartonat e parlamentit, një tjetër arrest pa gjyq në një vend që është bërë turpi i Europës me 63% të paraburgosur në totalin e të burgosurve, nuk e pengoi aspak SPAK-un që t’i thellonte hetimet dhe t’i shteronte duke i zgjeruar akuzat.

Poll

MOS HUMB