Politikë

Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-zv.kryeministri Abdyl Xhaja! Figurë e shquar e ekonomisë dhe politikës shqiptare

Ai përfundoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1965, duke u diplomuar si ekonomist për industri.

zh.ll
Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-zv.kryeministri Abdyl
Abdyl Xhaja

TIRANË- Ish-Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Abdyl Xhaja, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare pas një sëmundje të gjatë e të pashërueshme. Abdyl Xhaja njihej si një nga personalitetet më të spikatura të ekonomisë dhe politikës në dekadat e fundit të shekullit XX. 

Abdyl Xhaja lindi në Elbasan, më 13 mars 1943. Ai përfundoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1965, duke u diplomuar si ekonomist për industri.

Më vonë ai u angazhua në një karrierë të gjatë në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku mbajti pozicione të rëndësishme drejtuese. Po gjatë kësaj kohe, ai ishte gjithashtu pjesë e Komitetit Shtetëror të Statistikës dhe më vonë do të kalonte në nivelet qendrore të drejtimit të sektorit industrial në vend.

Me ndryshimet politike të fillimviteve ’90, Abdyl Xhaja u bë një figurë kyçe në qeverisjen e vendit, duke shërbyer si Zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës, Zëvendëskryeministër dhe më pas Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës në disa qeveri gjatë viteve 1991–1997.

Si pjesë e Partisë Demokratike, ai u zgjodh deputet në vitin 1996 dhe ishte anëtar aktiv i Këshillit Kombëtar të kësaj force politike.

Pas vitit 1997, ndonëse jashtë jetës politike aktive, vijoi të kontribuonte në fushën e ekonomisë si këshilltar pranë unionit të investitorëve të huaj dhe më vonë pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

Për kontributin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe promovimin e potencialeve ekonomike të Shqipërisë, Abdyl Xhaja është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i shtetit të Oklahomës në SHBA – një vlerësim i rrallë për një qytetar shqiptar.

Jeta dhe veprimtaria e tij mbeten një shembull i përkushtimit ndaj zhvillimit ekonomik dhe shërbimit publik.

Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme ndër vite, si:

1991 – Zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikë.
1991 – 1992 Zëvendëskryeministër.
1991 – 1992 dhe 1994 – 1997 Ministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës.
1992 – 1994 Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës.
1995 -1997 anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
1996 – 1997 deputet i PD-së.
1997 kandidat i PD-së për deputet.
1997 – 1998 këshilltar i unionit të investitorëve të huaja në Shqipëri.
1999 këshilltar i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar./ZËRI

Poll

MOS HUMB