
TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur këtë të hënë për të diskutuar axhendën e kësaj javë në Kuvend. Në mbledhjen e sotme, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi ka njohur kolegët, deputetët socialistë me çështjet që pritet të diskutohen nëpër Komisionet parlamentare dhe në seancën e Kuvendit, e cila do të mbahet më datë 6 qershor.
Mes projektligjeve që parashikohet të kalojnë në seancë janë ai “Për financimin e detyrimit të prapambetur të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan”; projektligj “Për ratifikimin e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”; projektligji “Për gjendjen civile”; shqyrtim i draft Rezolutës për Veprimtarinë e Entit Rregullator të Ujit për vitin 2023 etj.
Gjithashtu pati edhe diskutime të tjera për çështje të ndryshme të ngritura nga deputetët e pranishëm në mbledhje./ZËRI