
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën në ngarkim të ish-kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzohet për abuzim me detyrën, në lidhje me privatizimin e ish-shoqërisë shtetërore “Buka”. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e prokurorit të SPAK.
GJKKO do të vendoste sot nëse do të kalonte dosja për gjykim, për të cilën Ahmetaj është marrë i pandehur. Gjatë intervistës së djeshme nga arratia, Ahmetaj e quajti marrjen e tij të pandehur për privatizimin e ish-fabrikës ‘Buka’ një tragji-komedi.
Ahmetaj akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, ndërsa prokuroria vijon hetimet për biznesmenin Lirim Fejzollari, i cili është dhe përfituesi i truallit në fjalë, duke ngritur mbi të qendrën tregtare Emerald.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, Ahmetaj tha se hetimet për lidhjet e biznesmenit Fejzollari janë të paplota, pasi në celularin e tij ka pasur komunikime dhe me persona të tjerë, në kupolën e PS.
SPAK ka dyshime se Ahmetaj dhe Fezollari kanë pasur një komunikim përtej institucional me tyre, dhe ish-ministri e ka favorizuar biznesmenin në privatizimin e kësaj prone, që i përkiste shtetit, dhe për të cilën ka pasur një gjyq të fituar nga ish-pronarët.
Këtë procedurë, paraardhësi i Ahmetaj, Shkëlqim Cani e kishte refuzuar. Edhe Cani u pyet muaj më parë nga Struktura e Posaçme në lidhje me këtë çështje.
Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI