Politikë

Kreu i KQZ: Kuvendi të vendosë shpejt për votën e emigrantëve

Celibashi tha se progresi i Reformës Zgjedhore ka qenë zero ndaj dhe nuk është optimist në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

f.t
Kreu i KQZ: Kuvendi të vendosë shpejt për votën e
Ilirjan Celibashi

TIRANË-Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, ka folur në lidhje me zgjedhjet e vitit 2025 dhe për Reformën Zgjedhore. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 Celibashi tha se progresi i Reformës Zgjedhore ka qenë zero ndaj dhe nuk është optimist në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas tij veç kalendarit nuk është parë asnjë përparim i dukshëm.

“Optimizmi duhet të jetë i moderuar kur shohim që progresi në kuadër të Reformës Zgjedhore është zero. Komisioni e mbylli misionin pa asnjë rezultat. Këto rrethana të bëjnë të jesh skeptik për suksesin e mekanizmit të ri që partitë apo Kuvendi kanë adoptuar për të zgjidhur Reformën Zgjedhore. Duket se ka një lloj veprimi por ende një rezultat. Fakti është që veç kalendarit nuk kemi ende asgjë konkrete”, tha ai.

Celibashi foli edhe në lidhje me votën e diasporës, për të cilën tha se duhet të miratohen menjëherë rregullat ose ndryshe rrezikohet dështimi i procesit. Ai i bëri thirrje Kuvendit të votohet brenda këtij sesioni.

“Kuvendi duhet të vendosë për votën e emigrantëve, të diasporës. Çdo ditë që kalon edhe nëse do të kemi një proces të realizuar në kuadrin rregullator, vihet në rrezik aplikimi dhe dështimi i procesit në këtë kuadër. Alertimi i përsëritur shpresoj të mos e konsiderojnë si një justifikim për një dështim të mundshëm të votimit nga jashtë. Natyra e procesit kërkon që rregullat të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur ndryshe nuk do të kemi kohë të zbatojmë këtë proces. Po humbim ditë të rëndësishme. Numri i atyre që pres të votojnë jashtë territorit nuk besoj se do të jetë rreth 1 milionë. Ndaj shoh që kohë kemi mjaftueshëm nëse nuk humbim kohë. Duhet të miratohet brenda sesionit të Kuvendit. Nëse shtyhet për në shtator do të jemi si në kushtet e zgjedhjeve të kaluara”, tha ai.

Grupi i dialogut pranë Komisionit të Ligjeve ka miratuar programin e punës që do të ndiqet për Reformën në Zgjedhore, e cila duhet të jetë përmbyllur brenda datës 1 Korrik, që përkon dhe me fundin e sesionit parlamentar. Takimi i radhës i këtij grupi është caktuar në datën 18 prill ku do të diskutohet në lidhje me zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve; përmbajtja, hartimi dhe miratimi i listës së zgjedhësve; dhe procesi i përgatitjes së listës së zgjedhësve. Sa i përket votës së emigrantëve, ajo është kthyer në çështjen më "të nxehtë" të diskutimeve lidhur me Reformën e Re Zgjedhore. Partia Socialiste ka propozuar që shtetasit shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të votojnë nëpërmjet postës dhe zarfi me fletën e votimit duhet të ketë mbërritur në KQZ jo më vonë se ditën e votimit. Ndërkohë në një takim të fundit Opozita e Bashkuar ka propozuar që diasporës t’i mundësohet jo vetëm votim, por edhe kandidim në zgjedhje. Po ashtu kreu i PD-së Lulzim Basha kërkon që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të kenë mundësi të votojnë në zgjedhje nga aty ku jetojnë./ZËRI

Poll

MOS HUMB