
TIRANË- Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën “Arrest me burg” për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe 6 të tjerë të akuzuar për çështjen e SASPAC. Edhe pse në seancën e sotme Beqaj kërkoi zbutjen e masës së sigurisë të vendosur ndaj tij, kërkesa nuk iu mor parasysh. Madje edhe në seancën e sotme ofroi garanci pasurore 5 milionë lekë.
Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Ermal Kurtulaj në seancën e para dy ditëve kërkoi gjithashtu lirimin me pretendimin se ka dy fëmijë të mirë dhe të ëmën e sëmurë dhe duhet që të kujdesej për të. Sa i përket të tjerëve të përfshirë në dosje, gjithashtu nuk ka pasur asnjë ndryshim. Apeli për Elton Marini dhe Alfred Nikollaj, GJKKO ka caktuar masën “Arrest shtëpie”, ndërsa Gazmend Haxhia, Bledar Leka, Bjona Zijaj dhe Marinela Jazoj mbeten në “Detyrim paraqitje”.
Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi:
Arrest në burg
Ilir Beqaj - Drejtori i SASPAC
Ermal Kurtulaj - Koordinator i projektit EUSAIR
Arrest në shtëpi:
Elton Marini - Menaxher futbollistesh -ortak i shoqërisë private
Alfred Nikollaj - drejtori Administrativ i ‘Landways International’
Detyrim paraqitje:
Gazmend Haxhia - Pronari i ‘Landëays International’ - 'detyrim paraqitje'
Bledar Leka
Bjona Zijaj - konsulente financiare
Marinela Jazoj
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministri Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por SPAK nuk e ka një shifër ekzakte./ZËRI