
HIMARË- Pak ditë pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme në Himarë, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim pune me kryebashkiakun e ri, Vangjel Tavon. Foton nga takimi e ka ndarë vetë Rama në rrjetet e tij sociale. Të dy janë në një kafe buzë detit, por Tavo nuk ka shkuar duarbosh. Me vete ka edhe një bllok shënimesh, por nuk dihet nëse aty ka shkruar prioritetet e tij për detyrën e re, apo porositë që i jep kreu i qeverisë.
"Me Vangjelin, kryebashkiakun e Himarës, për punët në vazhdim, projektet e reja të këtij mandati dhe planin strategjik #Himara2030,"-ka shkruar Rama krahas fotos së shpërndarë në rrjetet sociale.
Vangjel Tavo fitoi me një diferencë me 1477 votash kundrejt kandidatit rival të koalicionit "Bashkë Fitojmë' në opozitë, Petro Gjikuria. Gjithsej, kandidati socialist numëroi në emrin e tij 5022 vota, pra 58.62%, ndërkohë Petro Gjikuria ka marrë 3545 vota, 41.38%./ZËRI