
TIRANË- Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot ligjin për Komisionet Hetimore, edhe pas kundërshtimeve nga opozita. Pas deklaratave të sotme të kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit, duke nënkuptuar se po fliste për Ilir Metën, tha se koha kur Presidenti përdorte Kushtetutën në favor të opozitës, ka perënduar.
Ndër rreshta, Rama shkruan se 2024 do të jetë viti i ndryshimeve të mëdha dhe pozitive.
Edi Rama: Ka perënduar me kohë koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov, siç do të mbarojë po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë! Ky vend është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë në çdo aspekt, drejt #Shqipërisë2030. Prandaj Shqipëria s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur.
Nuk ka kaluar shumë, kur përgjigjia erdhi edhe nga Bardhi. Në një deklaratë zyrtare, Bardhi tha se nga statusi i kryeministrit Edi Rama kuptoi se përveçse kreu i qeverisë, ka marrë edhe postin e kreut të shtetit. Edhe njëherë listoi Komisionet Hetimore që janë kërkuar nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë. Në fund, edhe njëherë përsëriti se ai dhe opozita janë të vendosur për të bërë betejë për të rivendosur demokracinë në vend.
Gazment Bardhi: E kuptojmë plotësisht që Edi Rama nuk e fsheh më rolin e tij, edhe si president i Republikës! Ai na tregon çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë presidenti i Republikës. Avokatia ndaj aktit antikushtetues, të njëanshëm dhe të turpshëm të presidentit të Republikës, provon atë që opozita thotë: Edi Rama është urdhëruesi i shpalljes së ligjit sot, me justifikimin absurd të shkruar në arsyetimin e Presidentit që Edi Rama nuk dëshiron të rishohë ligjin. Edhe që Edi Rama nuk dëshiron të rishikohet ligji, e kuptojmë, sepse është ai që ka bllokuar kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit. Si mund të jetë dakord Edi Rama që të kontrollohet ndërhyrja e paligjshme në sistemin TIMS, për të fshirë lidhjet e vllait të tij, Olsi Rama, me trafikun e drogës në dosjen “Xibraka”; si mund të jetë dakord Edi Rama të kontrollohet që, në kontratat koncesionare të shëndetesisë, miliona euro shkojnë në xhepat e Ilir Beqajt dhe jo për shërbime shëndetësore për qytetarët shqiptarë; si mund të jetë dakord Edi Rama të kontrollohet zbatimi i ligjit për investimet strategjike, me të cilin ka shpallur investitor vetëm miq e shokë të tij, përfshirë trafikantë droge e urdhërues vrasjesh?! Koha kur Shqipëria pretendonte të ishte si gjithë Europa, po perëndon gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Tani jemi në garë nëse do t’u bashkohemi standardeve të Rusisë apo Koresë së Veriut. Opozita po bën betejë që kjo të mos ndodhë dhe jemi të vendosur për t’u përballur, që të mos lejojmë ta zëvendësojmë demokracinë me autokracinë!
'Surprizë' ishte dhe reagimi i kreut të Partisë Demokratike të vulës, Lulzim Basha.
Lulzim Basha: Ai që nuk ka asgjë për të fshehur nuk i trembet transparencës. Makinacionet e Edi Ramës për ti pamundësuar opozitës transparencën e aferave korruptive përmes komisioneve hetimore tregojnë frikën e tij nga e vërteta. Por transparenca për aferat korruptive ku është zhytur sot qeveria, që po varfëron dhe detyron shqiptarët të largohen do të bëhet me patjetër. Sot gjysma e qeverisë është në dyert e drejtësisë e prapa hekurave, dhe të gjithë ata që kanë abuzuar, së shpejti do të japin llogari për aferat e tyre korruptive. Kohës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, kartonat e Edi Ramës nuk e ndalin dot.
Gjatë ditës së sotme, presidenti Begaj dekretoi ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore parlamentare, ku kërkoi edhe njëherë që palët të ulen dhe të vazhdojnë negociatat për të gjetur zgjidhje kompromisi, duke theksuar se pikërisht këtë u kishte kërkuar edhe më herët deputetëve të Partisë Demokratike.
Edhe pse nuk e përmendi me emër, përgjigja ishte për kreun e grupit parlamentar, Gazment Bardhi, pasi ishte pikërisht ai që i kërkoi Begajt që të mos e dekretonte ligjin e ri. Po sot, për diskutimet e fundit para se të firmoste mbi letër, Begaj kishte ftuar Bardhin dhe deputetët e tjerë të Partisë Demokratike për t'u konsultuar në Presidencë, por asnjë prej tyre nuk shkoi në takim. E vetmja që u pa të dilte nga Presidenca sot ishte deputetja Jorida Tabaku./ZËRI