
TIRANË –Deputetët e opozitës kanë dalë nga ngujimi në sallën e Kuvendit të Shqipërisë pasi bllokuan dhe zhvillimin e seancës së parashikuar për sot. Fillimisht i gjithë grupi i Berishës, pas ai i Bashës mungonte, uzurpuan karriget e ministrave dhe mbajtën fjalime live në Facebook-un e Berishës. Pas njoftimit të Ermonela Felajt, nënkryetare e Kuvendit, se seanca nuk do të mbahej, administrata fiku dritat duke lënë në errësirë gjithë deputetët.
Por pas më shumë se 5 orësh, një pjesë e deputetëve të grupit të Berishës kanë vendosur të ndalojnë revoltën e të dalin nga salla ku dhe po qëndronin në errësirë. Fillimisht ata dolën grupe-grupe për të marrë ajër e për të pirë duhan, më pas kolektivisht kanë vendosur të largohen. Ende nuk është e qartë strategjia e ‘qëndresës’ që ata do të kenë pasi Berisha lajmëroi dje se nis revolta e opozitës. Duhet theksuar se me kërkesë të socialistëve 26 deputetë u përjashtuan me 10 ditë nga Kuvendi.
Në dalje për mediat Gazment Bardhi tha se ata nuk e njohin këtë vendim dhe se do të vijojnë pjesëmarrjen në të gjitha seancat parlamentare:
Pas diskutimeve me kolegët në këtë mbledhje grupi, kemi vendosur për ta vijuar aksionin opozitar Brenda parlamentit. Për ta kthyer në shinat e kushtetutshmërisë. Kemi konstatuar pavlefshmërinë për të përjashtuar nga Kuvendi pjesën dërmuese të deputetëve të opozitës, u kërkojmë anëtarëve që vetëm firmosin vendime që të mësojnë edhe matematikën në klasë të parë, ndërsa kanë marrë vendim për ta na përjashtuar 10 ditë, i kanë përjashtuar 11 ditë, edhe pse rregullorja parashikon 10 ditë. Kjo tregon sa qesharakë janë, çdo urdhër politik i mazhdorancës që ndikon në të drejtat e opozitës nuk do njihet nga deputetët e opozitës. Do vijmë në seancë, do marrim pjesë në çdo mbledhje të komisioneve, nuk e njohim vendimin. Çdo kërkesë e jona është e drejtë e opozitës s’po kërkojmë favor nga mazhoranca. Po kërkojmë të respektohen të drejtat që na i garanton parlamenti. Do këtë mbledhje të grupit. Sa kohë opozita nuk lejohet të përmbushë funksioni kushtetues, as mazhoranca nuk mund të vijojë.
Çfarë ndodhi në 5 orë zhvillime në Kuvend
Përjashtohen për 10 ditë 26 deputetë të opozitës
Pas kësaj situate, PS ka kërkuar që të mblidhet Komisoni i Etikës. Pas një mbledhje të Komisionit, u vendos që të përjashtohen nga Kuvendi për 10 ditë, 26 deputetë të opozitës. Deputetët që u përjashtuan janë Sali Berisha, Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Blendion Nallbati, Samir Korreshi, Edmond Spaho, Ramadan Lika, Lindita Metaliaj, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Helindon Bushati, Ina Zhupa, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Bujar Leskaj, Tritan Shehu, Lodovik Hasani, Dhurata Çupi, Greta Bardeli, Kastriot Piroli, Sorina Kote, Tomor Alizoti, Qamil Xhafa dhe Kasëm Mahmutaj.
Njoftimin për përjashtimin e deputetëve për 10 ditë e dha Kuvendi.
“Të gjendur përballë një situate të paprecedentë dhe jo normale në fillim të seancës plenare të datës 19.10.2023, ku deputetët e opozitës në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bllokuan hyrjen e deputetëve të Grupit Parlamentar të PS dhe hoqën kartat e tyre nga pajisjet elektronike të votimit, duke bllokuar më pas vendet ku ulet Kryetarja e Kuvendit dhe Kabineti Qeveritar, si dhe portat hyrëse të tyre duke vendosur karrige.
Ne këto kushte u bë e pamundur zhvillimi i seancës plenare, duke mos lejuar shqyrtimin dhe votimin e projektligjeve dhe projektvendimeve të parashikuara në rendin e ditës sipas urdhrit te Kryetarit të Kuvendit.
Sa më sipër bazuar në nenin 63, pika 1 gërma d), dhe nenin 65/1 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 3. gërma dh) dhe ë), nenin 8. pika 2 gërma b) dhe nenin 33 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si me poshtë:
Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Saimir Korreshi, Lindita Metaliaj, Ramadan Likaj. Luan Baçi, Letter Geshtenja, Ina Zhupa. Helidon Bushati, Isuf Çela, Asllan Dogjani, Bujar Leskaj, Lodovik Hasani, Tritan Shehu, Greta Bardeli, Dhurata Çupi. Sorina Kote, Kastriot Piroli, Kasëm Mahmutaj. Tomor Alizoti, Qani Xhafaj. Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat. Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore”- njoftoi Kuvendi.
Më i zëshëm, në revoltën e opozitës ishte ish ish-kryeministri Sali Berisha. Ish-kreu i qeverisë u fut live në Facebook dhe disa herë tha se do të nxjerrë jashtë deputetët e maxhorancës, teksa bëri thirrje që parlamentarët të rrinë urtë. Pasi kanë qëndruar disa minuta në ambjentet e Kuvendit, fillimisht ka dalë nga salla Flutura Açka, që është në grupin e deputetëve të Bashës dhe më pas edhe deputetë të maxhorancës.
Fikja e dritave në parlament
Pasi shumë deputetë dolën jashtë sallës, administrata e parlamentit ka fikur dritat, por sërish Berisha dhe deputetët e tjerë që mbështesin atë, vazhduan të qëndrojnë të ngujuar në sallë. Sali Berisha deklaroi se opozita sot mbron parlamenetarizmin, pasi sipas tij, maxhoranca kërkon të zhdukë opozitën. Erion Braçe reagoi në një deklaratë për mediat, për situatën e paprecedentë, duke thënë se revolta e deputetëve të opozitës lidhet me faktin se ata duan kryetar Berishën.
Revolta e deputetëve që mbështesin Berishën dhe Bardhin, u shfaq në forma të ndryshme, ndër të tjera edhe me zaptim të karrigeve të ministrave. Deputeti Saimir Korreshi, edhe pse me dorën e fashuar, ka hipur në karrigen e ministrit të Financave, Ervin Mete. Më tej, deputetët e Berishës dhe Bardhit janë ngujuar, duke qenë pa drita dhe kanë dëgjuar për një moment këngën mjaft të njohur tashmë për shqiptarët “Mora fjalë” të Shkurte Fejzajt, dedikuar kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jasharit.
Berisha deklaroi për mediat se maxhoranca fiku dritat, sepse ata janë ordinerë. “Vetëm ordinerët mund të fikin dritat e Kuvendit. Ne nuk njohim asnjë lloj vendimi për përjashtim, s’e njohim atë vendim. Ne jemi parlamentarët e vërtetë të parlamentit. Edhe pse na kanë përjashtuar, ne nuk tërhiqemi, por qëndrojmë të palëkundur në kauzën tonë”, tha Berisha.
Deklaratat për mediat të deputetëve të maxhorancës dhe të opozitës
Një përplasje verbale u shënua mes ministrit Taulant Balla dhe kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi. Ndërsa Bardhi po fliste për mediat, ka ndërhyrë ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ky i fundit i tha Bardhit se po përdoret nga Sali Berisha. Ndërsa, Gazment Bardhi ia ktheu, duke i thënë Ballës se ai përdoret nga bandat e se këtë gjë nuk ia ka përmendur kush.
Edhe deputeti Ervin Salianji, duke folur për mediat, deklaroi se Edi Rama dhe PS do të marrin përgjigjen që meritojnë nga ana e opozitës.
“PS nuk ka asnjë lloj lidhje me fjalën, me ligjin apo zbatimin e rregullores së parlamentit. Edhe një seancë që ishte për Kosovën, PS e përdhosi. PS nuk ka të drejtë që të rrëzojë 3 komisione hetimore të kërkuara nga opozita. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës”, tha Salianji.
Kreu i Grupit Parlementar të PS, Bledi Çuçi në një prononcim për mediat dënoi veprimet e deputetëve të Berishës dhe Bardhit, ndërsa tha se bashkëkryetari për Reformën Zgjedhore do të zgjidhet me konsensus.
“E dënoj këtë që ndodhi sot në parlament, me bllokime foltoresh, kjo nuk është diçka që i shërben demokracisë. Bashkëkryetari duhet të mbajë të gjithë konsensusin politik. Ne duam që të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën për Shqipërinë. Nuk kërkohet konsensusi politik, duke hedhur një letër e duke zaptuar institucionet me dhunë. Është një e drejtë e opozitës për të ngritur komision hetimor, por GJK e ka thënë se nuk është e drejtë absolute. Mënyra si ata e kanë kërkuar, nuk përputhet me ligjin dhe Kushtetutën. Nuk jemi kundër opozitës, por jemi kundër objektit”, tha Çuçi.
Gazment Bardhi deklaroi se opozita do ta bllokojë seancën, derisa PS të reflektojë.
“Kjo situatë është e papranueshme. Janë rrëzuar tre komisione hetimore të kërkuara nga opozita. Na është mbyllur çdo rrugë institucionale dhe normalisht, kur mbyllen rrugët institucionale, jemi të detyruar që të veprojmë në këtë formë. Ne nuk duam, por po detyrohemi të sillemi kështu”, tha Bardhi.
Kreu i PD Sali Berisha kishte edhe një përplasje verbale me Ermonela Felajn. Teksa Felaj ndërhyri në fjalën e Berishës, ish kryeministri i kujtoi asaj se ka zaptuar Proikurorinë me të punësuar nga familja e saj.
“Kush është kjo që flet, duke më penguar mua. Zonja Felaj është një delekuente. Ka bllokuar Prokurorinë, duke punësuar familjarët e saj, duke kthyer shtetin sikur ta kishte të vetin. Ke pasur burrin peng nga bandat se i kishte gjobitur kur ishte prokurore”, tha Berisha.
Edhe deputeti Erion Braçe foli për situatën në Kuvend, duke thënë se revolta e deputetëve të Berishës dhe Bardhit ka si synim, zgjedhjen e Sali Berishës si kryetar të PD.
“Janë duke protestuar për Sali Berishën, kanë 30 vjet që bëjnë të njëjtën gjë. Kanë gjithë këta vjet që thonë nuk njohim asgjë dhe duam kryetar Berishën. Ata nuk duan karrige deputeti, duan pushtetin. Ata karriget e ministrave nuk i marrin dot me votë, ndaj shkojnë dhe bëjnë këta veprime”, tha Braçe. Seanca e radhës do të mbahet më 30 tetor. /Zëri.ai/