
TIRANË- Pak minuta na ndajnë nga nisja e protestës kombëtare të opozitës. Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi ka paralajmëruar se pjesëmarrja do të jetë masive dhe nuk do të ketë incidente. Bardhi ndër të tjera tha se pret që protestës t'i bashkohen edhe familjarë.
“Pres protestë me pjesëmarrje masive të qyetatareve, protestë paqësore, protestë me fëmijë dhe familjarët e tyre dhe sigurisht mesazhet që do t’i shikoni në shesh", ishte mesazhi i Bardhit para nisjes së protestës.
Këtë të martë, 20 Shkurt, që përkon dhe me 33-vjetorin e rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha, demokratët do të zbresin në protestë përpara kryeministrisë. Protesta e sotme do të zhvillohet pa praninë fizike të liderit historik të tyre, Sali Berisha, i cili ndodhet nën arrest. Dhe pa praninë e një pjese të PD-së që përfaqësohet nga Lulzim Basha. Megjithatë pritshmëritë e organizatorëve flasin për një pjesëmarrje masive. Sali Berisha pritet që t’i drejtohet turmës së mbështetësve me një fjalim nga ballkoni i banesës së tij, i cili do të shfaqet para protestuesve përmes ekraneve./ Zëri.ai