
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka po bën mbledhjen e fundit në selinë blu. Kur pak orë na ndajnë tashmë nga protesta qe opozitës, Noka ka kërkuar një takim me Gazment Bardhin, Albana Vokshin, Agron Gjekmarkajn dhe Oerd Bylykbashin. Ndërsa në media sot për të paralajmëruar se çdo ndodhë në protestë kanë qenë Luçiano Boçi dhe Belind Këlliçi.
Pritet që tubimit të sotëm t'i bashkohen edhe eksponentë të Partisë së Lirisë, por është e pakonfirmuar nëse ndonjë prej tyre do të jetë edhe vetë presidenti i PL-së, Ilir Meta.
Protesta e opozitës vjen pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua për shkak të çështjes “Babale”. Si shenjë proteste, opozita nisi dy aksione të mëparshme, ku shkaktuan dhunë dhe kaos në Kuvend. Deputetët dogjën karriget në oborrin e Parlamentit më 30 shtator dhe për këtë arsye ata u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës deri më 60 ditë. Ndërsa, në seancën e së enjtes më 3 tetor ata nuk u lejuan të futeshin në Kuvend nga garda, dhe deputetët e opozitës bllokuan hyrjet e Kuvendit për të penguar kolegët e tyre socialist të merrnin pjesë në seancën parlamentare. Për shkak të rrëmujës që u zhvillua jashtë, seanca parlamentare zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa deputetët që u penguan të futeshin dogjën në oborr 4 manekinë dhe deklaruan se nuk do të ketë më normalitet./ZËRI