
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjete sociale një video me pamje nga baza ajrore në Kuçovë, që pritet të hapet së shpejti. Kreu i qeverisë shprehet se kjo bazë ka një infrastrukturë të avancuar luftarake dhe do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve të NATO-s ndërsa shton se do të shërbejë si një qendër për aktivitetet ajrore.
“Mirëmëngjes dhe nga Baza Ajrore Taktike e NATO-s që hapet së shpejti në Kuçovë, e cila do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s, duke shërbyer edhe një si qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës, ju uroj një ditë të mbarë“, shkruan Rama.
Baza Ajrore e Kuçovës do të inaugurohet më 4 mars, sipas planit të parashikuar. Në ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA./ZËRI