Politikë

Paralajmërimi i Ramës: Kush fut duart në arkën e qytetarëve s'është më pjesë e jona. E përbuzim

Edi Rama e bëri të qartë se të gjithë ata që prekin paratë e qytetarëve nuk fiton asgjë tjetër veçse përbuzje nga pjesa tjetër e PS-së.

k.m.
Paralajmërimi i Ramës: Kush fut duart në arkën e
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim për të gjithë socialistët. Në një mbledhje me grupin e Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit, Rama Rama tha se çdo anëtar i kësaj familje të madhe politike, bën akte korruptive, është tradhtar. Ndër të tjera në fjalën e tij, Rama e bëri të qartë se të gjithë ata që prekin paratë e qytetarëve nuk fiton asgjë tjetër veçse përbuzje nga pjesa tjetër e PS-së. E përveç kësaj theksoi se: Kush flirton me korrupsionin, kush tradhton qytetarët e anëtarët e PS, nuk është as ne dhe as i yni.

"Kemi përgjegjësinë për rolin tonë të pazëvendësueshëm në këtë luftë për Shqipërinë. Sot që flasim, në radhë të parë të gjithë ju s'duhet ta heqin nga mendja luftën ndaj korrupsionit. Ne jemi e para parti politike që kemi dorëzuar një armë me të cilën të gjithë të tjerët janë mbrojtur nga drejtësia duke e vrarë, ne jemi vetëçarmatosur. O e fitojmë ne këtë luftë të madhe për Shqipërinë, ose kjo dallga e drejtësisë së re do të thyehet në shkëmbijtë e kulturës antishtetit. Tek kjo ne-ja, PS, nuk ka dot dhe nuk ka për të pasur një "ne" të njëjtë si kur bëjmë punët, si për këdo mes nesh, sado afër apo larg nga këtu që tradhëton ata që na kanë besuar. Kush flirton me atë armik dhe kush i tradhëton shqiptarët që i ka bërë nderin e jetës, nuk është as "ne", nuk është i yni. Dhe nuk ka punë me ne. Ashtu kush është zgjedhur në krye të një bashkie, nëse fut dorën në arkë, nuk është ne, dhe nuk kërkon asgjë nga ne përveç përbuzjes. Është një tradhtar i dyfishtë i popullit shqiptar, por edhe i PS, si një parazit. Kur një parazit zbulohet nga drejtësia e hidhur është që e kishim mes nesh, por lajmi që u zbulua. Vjen njësoj si tek ju dhe tek unë helmi që hidhet, siç hidheshin minjtë për të helmuar kështjellën. Cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi e përdor për t’i vjedhur këtij shteti, i dëgjoj kur bërtasin hajdutët e Edi Ramës, ia kapën një drejtor a kryetar bashkie, apo një përgjegjës drejtorie dhe nuk pushojnë. Në shoqërinë ku jetojmë individi është sovran,"-tha Rama.

PJESË NGA FJALA E PLOTË E RAMËS:

Dua edhe të jem shumë i qartë këtu me ju: Tek kjo ne-ja, Partia Socialiste, nuk ka dot dhe s’ka për të pasur dot, të paktën sa të jem unë i besuari juaj në krye të kësaj partie, një “ne” të njëjtë, si kur bëjmë betejat dhe punët për të cilat na kanë besuar shumica e shqiptarëve, si për këdo mes nesh, sado afër këtu apo sado larg nga këtu, që tradhëton ata që na kanë besuar, duke flirtuar me armikun e shpallur numër një të kësaj lufte, i cili është korrupsioni. Kush flirton me atë armik, kush i tradhëton besimtarët tanë, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie, kush i tradhëton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, afro 800 mijë zgjedhësit që secilit e secilës këtu në këtë sallë, i kanë bërë nderin e jetës, duke i dhënë mandatin e lartë të përfaqësuesit të një populli e një atdheu të tërë, në parlament apo në qeveri, deputet a ministër, nuk është as ne, nuk është as i yni, e as nuk ka asnjë punë me ne!

Ashtu sikundër, kushdo që është zgjedhur në krye të një bashkie ose punon si drejtues dhe përgjegjës në nivelet e tjera të administratës shtetërore, qendrore apo vendore, nëse fut duart në arkën e këtij shteti dhe në xhepat e këtij populli, nuk është ne, nuk ka sesi të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes! E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe politike që bën korrupsion me funksionin publik është vetëm një tradhëtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar, si çdo hajdut me kostum që merr ç’nuk është e tija, po edhe i Partisë Socialiste të Shqipërisë, si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet.  Kur qëllon që fatmirësisht një hajdut e parazit i tillë të zbulohet nga drejtësia, i hidhur është sa të duash fakti se e kishim mes nesh, por ama lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë është vetëm shumë i mirë.

Vjen edhe tek unë njësoj si tek ju, helmi që hidhet, duke përdorur raste të korruptuarish apo të dyshuarish për korrupsion, siç hidheshin në mesjetë minjtë në ujësjellat e kështjellave për të helmuar të tërë ata që jetonin në kështjellë. I dëgjoj edhe kur thonë hajde na jep përgjigje ti Edi Rama për këtë miun një karrige më poshtë, tre karrige më tutje apo edhe njëqind kilometra larg teje, se edhe ai i yti është, i Partisë Socialiste është… Jo, jo, s’është as i imi, as i yni, po është vetëm dhe ekskluzivisht i drejtësisë, cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi, në daç si ministër qeverie, në daç si kryetar a drejtor bashkie e në daç si përgjegjës drejtorie, e përdor për t’i vjedhur këtij shteti e për t’i futur dorën në xhep këtij populli. I dëgjoj patjetër, edhe kur bërtasin me të madhe, hajdutët e Edi Ramës dhe nuk pushojnë duke bërtitur “ia kapën këtë ministër e ia kapën atë ministër, ia rrasën brenda këtë kryetar bashkie e atë drejtor drejtorie”, në një tam-tam të përditshëm e të dëshpëruar për të shurdhuar e helmuar popullin…Po në sistemin ku jetojmë individi është sovran, ndërsa përgjegjësia e familjes, farefisit, kolektivit, partisë, është vetëm një bisht i mendësisë ende të gjallë të sistemit komunist, ku koka e prerë e një individi rrokullisej me të tjera, sipas oreksit të partisë-shtet që ushqehej me dogmën morale të fajit kolektiv.  Në këtë sistem mbajmë secili mbi shpatulla kokën e vet dhe nuk ekziston fajësimi me asocim. Ndërsa përgjegjësia morale nuk është vetëfajësim me asocim, për shkak se dikush tjetër shkel ligjin për përfitim personal. Rruga e jetës na bashkon me kaq shumë të tjerë për njëmijë e një arsye, por puna që na lidh për një qëllim në këtë rast shumë të madh a për plot arsye të mira edhe na zgjidh për një vepër të ulët si tradhëtia.

 Unë kam pasur detyrën të punoj në këta dhjetë vjet me dyzetë e ca ministra dhe të gjithë ata e kanë dëgjuar prej meje, qysh në ditën e parë të fillimit të punës e jo vetëm, se kush lufton për qëllimet tona të përbashkëta ka mbështetjen time në çdo hap, ka diskrecion të plotë në vendimet e veta e në rekrutimin e bashkëpunëtorëve dhe më ka në krah, kurdoherë që do të sulmohet për përpjekjet që bën në llogoren e përbashkët. Por kush gabon, duke kujtuar se mund të bëjë një rrugë e dy punë, nga njëra anë, duke luftuar me mua e me Partinë Socialiste për të mirën e punës së përbashkët për shtetin, e nga ana tjetër duke punojë fshehtaz edhe për xhepin, nuk do të ketë në krah as mua, as Partinë Socialiste, por vetëm avokatin e vet përpara drejtësisë.

Qeveritë e mia kanë ndryshuar, ministrat kanë ndryshuar, shumë gjëra i kemi ndryshuar së bashku në çdo sektor, po kjo devizë as nuk ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë, deri kur të jem unë të paktën. Nëse s’ke bërë asgjë s’ke nevojë të të mbaj unë dhe PS-ja, të mban e vërteta, prandaj lufto për të vërtetën tënde, se kjo parti e kjo qeveri nuk bëjnë dot asnjë koment për çështjet që hap SPAK-u, jo më avokatinë e një drejtori, kryebashkiaku, deputeti apo ministri të kërkuar nga SPAK-u./ZËRI

Poll

MOS HUMB