
TIRANË – Pasi kishte paralajmëruar protestë për ditën e sotme, ish-kryeministri Sali Berisha, duket se ka ulur tonet dhe ka dhënë mesazhe mikpritjeje për Samitin e Procesit të Berlinit.
Berisha, në një konferencë për mediat, deklaroi se Samiti i Procesit të Berlinit është një nga ngjarjet me të rëndësishme, të ndodhura gjatë viteve të demokracisë në vend.
“PD mbështet dhe përshëndet Samitin e sotëm të liderëve të vendeve anëtarë të BE dhe BP në Tiranë, si një ngjarje nga më të rëndësishmet, pas Samitit të Selanikut, mbajtur 20 vite më parë. Samiti i sotëm në Tiranë dëshmon vullnetin e BE-së dhe liderëve të vendeve anëtare, për të mbështetur perspektivën europiane të vendeve të rajonit tonë, për mbështetjen e procesit të integrimit të këtyre vendeve në BE.
PD, si lokomotivë e proceseve integruese euro-atlantike, garanton pjesëmarrësit e Samitit, se ajo mbetet e përkushtuar me programin e saj, të bëjë gjithçka për të avancuar procesin e rëndësishëm të integrimit në BE, si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve, por dhe popujve të tjerë, në paqe, begati dhe zhvillim”, deklaroi Berisha.
Më tej, Berisha deklaroi se Samiti i Procesit të Berlinit varrosi Ballkanin e Hapur, që sipas tij, ishte projekt ruso-serb. Deklarata e Berishës, vjen pasi ai paralajmëroi demonstrata disa ditë më parë, gjatë mbajtjes së Samitit.
Më datë 9 tetor, duke folur nga selia blu, Berisha la të kuptohej se opozita do të zhvillonte protesta ditën e Samitit të Procesit të Berlinit.
“Kemi të bëjmë me një regjim, i cili për konjukturat gjeopolitike të kohës, pret me 16 tetor, Samitin e Berlinit. Ne e mirëpresim samitin, pa diskutim, por ne do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij”, deklaroi Berisha.
Disa ditë më pas, në një deklaratë të datës 13 tetor, Berisha duket se moderoi qëndrimin e opozitës, teksa tha se nuk do të ketë protesta, ditën e mbajtjes së Samitit të Berlinit në Tiranë.
"Nuk kemi parashikuar protestë ditën e samitit, por dokumentet elektorale janë shpërndarë në të gjithë botën. Libri i zi i farsës elektorale është shpërndarë në të gjitha qendrat, në të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve anëtare të OSBE, BE dhe Këshillit të Europës. Libri është dërguar kapitull për kapitull online ODIHR-it dhe ne jemi shumë të kënaqur me raportin objektiv profesional që ata kanë publikuar." - tha Berisha.
Tirana pret sot për herë të parë Samitin e Procesit të Berlinit ku marrin pjesë krerët e BE-së, si dhe drejtuesit e shteteve kryesore të saj. Në takim mungon kryeministrja italiane Meloni, për shkak të axhendës së ngjeshur, ndërkohë që presidenti francez, Macron do ti bashkohet pasdite Samitit. Punimet e samitit do të zgjasin deri në orën 19 të pasdites./Zëri.ai/