
TIRANË- Përmes një deklarate për shtyp, nga Kryesia e Kuvendit, Edi Paloka u shfaq i paqartë në lidhje me qëndrimin që PD do të mbajë me parlamentin, ndërsa grupi pritet që të marrë një vendim në orëet në vijim. Paloka, i cili së bashku me deputeten Jorida Tabaku, ishin të pranishëm në Komisionin për Çështjet Europiane, në ndryshim nga kolegët e tyre të cilët bojkotuan.
“Do të ketë një qëndrim të PD për këtë punë. Do të kërkojmë ngritjen e komisionit të të vërtetës për të vërtetuar lidhjet e politikës me krimin. Lidhur me atë që unë dhe kolegia morëm sot në komision, ndryshe nga kolegët e tjerë nuk do të jenë pjesë e komisioneve, deri sa grupi të marrë një vendim. Do të vendosim dhe marrëdhëniet që do të kemi me këtë parlament”, tha Paloka.
Disa ditë para hapjes së kapitujve të parë të negociatave me BE, kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Paloka deklaroi se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë prej kushteve të kërkuara. Paloka renditi zgjedhjet, persekutimin e opozitës dhe kontratat korruptive si pika kyçe që PD kërkon të evidentohen dhe në raport.
“Për të qartësuar për këdo që PD ka qenë iniciatore e integrimit, vazhdon të jetë lokomotivë e integrimit, sepse e sheh si interes të shqiptarëve. Sot kur diskutohet hapja e negociatave ne ndodhemi në një narko-regjim që nuk plotëson asnjë nga kushtet që kërkon BE. Unë përmenda 4 prioritetet që PD kërkon të evidentohen dhe në raport. Çështja e parë ajo e reformës zgjedhore.
Kjo mazhorancë nuk pranon rekomandimet e OSBE. Rama shkel të drejtat e opozitës në zgjedhje, nuk ka standarde minimale. Çështja e dytë, reforma në drejtësi. Qytetarët po përballen me një torturë që nuk e kanë kaluar ndonjëherë. Janë mbi 130 mijë dosje në sirtarët e drejtësisë së re. Një qytetar duhet të pres 14 vite që çështja të mbyllet. Kjo ndodh sepse kjo reformë u bë për të kaluar drejtësinë në dorën e Ramës.
Sot pak muaj para zgjedhjeve, 3 liderët e opozitës janë nën arrest. Sali Berisha është në arrest. Ilir Meta dhe Fatmir Mediu janë nën persekutim publik nga çështjet që iu janë hapur. Vetëm 2 ditë më parë kolegu ynë shkoi pas hekurave vetëm pse tha disa të vërteta për vëllanë e Xhafajt. Ky i fundit edhe pse duhet të ishte para drejtësisë për ligjin antimafia ka marrë nga Rama drejtimin e një komision për të ndryshuar reformën në drejtësi. Beleri u arrestua dy ditë para se të zgjidhej kryetar bashkie, edhe ai me dëshmitar të rremë, por u zgjodh europarlamentar nga burgu.
Ky parlament nuk respekton as Kushtetuesen. Çështja Xhaçka tregon qëndrimin e kësaj mazhorance ndaj kësaj gjykate. Pika tjetër është ajo e kontratave me PPP, kontratave korruptive që në fakt duhet të zhvillohen me tenderë ndërkombëtar”, tha Paloka.