
TIRANË- Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, opozitën e presin detyra të rëndësishme, ndërsa na ndajnë më pak se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Me një lider, prej pothuajse një viti të arrestuar, përplasjet e vazhdueshme për vulën, por edhe braktisja nga elektorati, bën që aksioni opozitar këtë vit të mos jetë i lehtë.
Për këtë gjatë ditës së nesërme do të ketë një mbledhje të Kryesisë së PD-së, ku demokratët do të duhet të vendosin piketat për aksionin e ardhshëm të tyre, ndërsa nuk dihet nëse do të rikthehen në protesta në rrugë, apo do të radikalizojnë qëndrimin në parlament, siç bënë për muaj me radhë në sesionin e kaluar.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, iu ka dërguar një mesazh të gjithë anëtarëve të Kryesisë, ku ka dhënë detaje nga axhenda e mbledhjes.
Në mesazh bëhet me dije se në mbledhje pritet të ketë diskutime rreth strategjisë se aksionit opozitar të vjeshtës, diskutime për çështje te brendshme organizative dhe të tjera.
“Përshëndetje miq. Ditën e Mërkurë dt 4 Shtator ora 18.00 do zhvillojmë mbledhje të Kryesisë me rend dite:
1-Diskutime rreth strategjisë se aksionit opozitar të vjeshtës.
2- Çështje te brendshme organizative.
3-Te tjera”, thuhet në mesazhin e Nokës.
Një tjetër çështje e rëndësishme e cila pritet të diskutohet në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, është edhe diskutimi për Drejtuesit Politik të PD-së në 12 qarqet e vendit. Tirana pritet të ketë 8 drejtues politik. Emrat janë ende në diskutim. Ndërsa burimet thonë se 11 drejtuesit e 11 qarqeve të tjera, tashmë janë të përcaktuar.
LISTA E DREJTUESVE POLITIKË PD
Shkodër- Luçiano Boçi
Lezhë – Agron Gjekmarkaj
Dibër – Xhelal Mziu
Kukës – Flamur Hoxha
Durrës – Oerd Bylykbashi
Elbasan – Ervin Salianji
Fier – Gazment Bardhi
Korçë – Ivi Kaso
Berat – Eno Bozdo
Vlorë – Bujar Leskaj
Gjirokastër – Tritan Shehu
Mbledhjes pritet që t’i bashkohet online dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë që prej Dhjetorit të vitit të kaluar. Nga ana tjetër edhe socialistët prej kohësh kanë ndezur motorët për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku javën e ardhshme kryeministri Edi Rama do të mbledhë asamblenë e PS-së, ku do të votohen dhe drejtuesit e ri politikë të qarqeve./ZËRI