Politikë

Bardhi bën ‘pronar’ Bashën të dy kateve në kullë! Berisha kapet me Spiropalin

Basha kërkoi që Prokuroria të nisë hetimet në lidhje me akuzat e Bardhit se ai është pronar i dy kullave në Tiranë

E.K
Bardhi bën ‘pronar’ Bashën të dy kateve në
Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi

KUVEND- Debate të forta janë shënuar në seancën e Kuvendit mes Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit, me këtë të fundit që akuzoi kryetarin e rikthyer të PD-së se është pronar i dy kateve në një kullë shumëkatëshe në Tiranë. Shkak për nisjen e debatit u bë kërkesa e Bashës ndaj kryetares së Kuvedit Lindita Nikolla, që të njohë ndryshimet në grupin parlamentar të PD-së, duke konsideruar të ligjshëm delegimin që i bëri kryesimit të grupit parlamentar te deputetja Flutura Açka.  

Por në vend të një përgjigje nga Nikolla, ishte Gazment Bardhi ai që u çua në foltoren e Kuvendit, dhe akuzoi aleatin e tij të dikurshëm Lulzim Basha, se ka marrë dy kate në një kullë që po ndërtohet së fundi në Tiranë, së bashku me familjarët e tij.

Pas kësaj akuze, Basha ngriti tonet, duke i kërkuar prokurorisë që të nisë hetime ndaj akuzave të Bardhit, dhe në rast se ato nuk rezultojnë të vërteta, ai të dënohet si shpifës.

Pjesë nga debatet:

Basha: Më 4 shtator ju keni bërë një njoftim, u bë një muaj nga njoftimi. Do bënit publik vendimin tuaj, fakti është që s’keni bërë asnjë vendim, merrni zvarrë përfaqësimin e PD, duke vendosur sipas qejfit dhe dëshirës dhe jo sipas kushtetutës dhe ligjit për partitë. Fshiheni pas një akti siç është rregullorja  e kuvendit, e cila nuk ju jep asnjë të drejtë të vononi me një muaj vendimmarrjen për ti dhënë PD përfaqësimin që ka në Kuvend. Sot flisni për vendime të grupit të PD, nuk ka, janë interpretimet tuaja të njëanshme. Dihet mirë pse i bëni, se kështu e doni opozitën pa grup të formalizuar. E doni siç e kishit në Kukës doni ta bëni gjithë Shqipërinë Kukës, por kjo nuk është në dorën tuaj. Jepni fund kësaj maskaradë është detyra juaj të shpreheni pro kushtetutës, pro ligjit për partitë politike, pro kodit zgjedhor siç e keni për detyrë. Nëse e keni vendosur në kulisat tuaja, aleancat me kullat e  errëta ki guxim e thuaji shqiptarë që je pjesë e asaj aleance.

Bardhi: Parafolësi është i vetmi që ka marrë dy kate ndërtimi në një kullë që po ndërtohet muajt e fundit në Tiranë. Ti je i vetmi kryetar partie që je i vetëshpallur, nuk je as opozitë, as përfaqësues i PD-së, je thjesht një i rikthyer pas një viti e gjysmë mungesë.

Basha: Prisja një përgjigje nga ty zonja kryetare dhe jo nga autorët e kësaj zallamahie

Bardhi thotë nga vendi: Kulla, kulla, kulla

Basha: Për ata që ndyjnë gojën me akuza, votoni vetingun e politikanëve. Pas këtyre akuzave, prokuroria ose nis hetimet për mua, ose të nisi për gojëçarapet shpifës. 

Ndërkohë pas debatit me Bardhin, ishte ish-kryeministri Sali Berisha ai që bllokoi foltoren e Kuvendit, ndërsa u desh ndërhyrja e Gardës për normalizimin e situatës. Berisha kërkoi që në seancën e sotme të flitej për lapsusin e bërë nga Financial Times, ku sipas tyre kryeministri Rama kishte deklaruar se Kosova është tokë e askujt, gjë e cila u korigjua bashkë edhe me një shpjegim nga media në fjalë.

“Sot, kryefjala e parlamentit duhet të jetë, deklarata superskandaloze e Pashiqit shqiptar, se Kosova e veriut është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare, nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo deklaratë. Por po ju pyes unë ju: secili prej jush që jeni këtu, dhe çdo shqiptar, po përse e derdhi gjakun Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rregulli.

Ku u zhvillua një betejë mes grupeve terroriste të nisura direkt nga Alekandër Vuçiçi, të kryesuara nga lejtnanti i tij Radoiçiç? Shqiptarët, Europa dhe bota e panë se si ia mbathën me të katërta, se ajo është toka e zotërve të saj. A mundet një krim-ministër të bëjë një deklaratë të tillë në sintoni të plotë me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç?

Dhe tani kërkojnë të mbulohet kjo me deklarata të turpshme këtu përpara. Po Dostojevski thotë një fjalë: njeriu që kalon nga gënjeshtra në gënjeshtër, largohet nga homo-sapiens, nga specia e tij. Ndaj këtu debati duhet të fillojë me urgjencë për këtë deklaratë që nuk e bën jo vetëm Aleksandër Vuçiçi, por e bën edhe pengu i tij, e bën argati i tij, që quhet Edi Rama. A e dini çfarë tha Alistair Campbell, miku i tij, për këtë deklaratë: e ka hipnotizuar Vuçiçi!”, tha Berisha.

Ndërkohë, e ashpër në përgjigje për Berishën ishte ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Kjo e fundit e cilësoi Berishën si përçarës dhe ish-sigurims.

“Sot më kujtuat një film realist që doktori duhet ta dijë se e ka bërë karrierën e tij, si në këto filma. Disa diversantë dhe sigurimsa, ju jeni në rolin e sigurimsit, dhe merren me njëri tjetrin. Saliut mund t’i shkojë për shtat ajo shprehja; memecit i erdhi goja. Në këtë rast zotit Lulzim i erdhi goja në Kuvend, i erdhi hidhur.

Ai nuk mund të merret me kryetarin e Kuvendit, me kushtetutën, ku hallin nuk e ka te Kushtetuta, por te shtëpia. Nuk mundet që nga kjo foltore, nuk ka heq dot fjalën doktor siç e bëje një herë e një kohë. Tentativa për të krijuar narrativa me heronj dhe tradhtar, është tentativa më e dëmshme për Kosovën. E keni traditë këtë. S’ka gjë më të dëmshme që për interesa të paurtisë të vini në lojë Shqipërinë dhe Kosovën e vini si kolateral. Ka kush i del Kosovës për zot. Nga ulësja më e lartë në Shqipëri, Kosovë dhe BE. Zgjidhni një herë hallet e shtëpisë”, u shpreh Spiropali. 

Ndërkohë që Basha vijoi me replikën e tij në drejtim të Spiropalit, ku hodhi dyshime të forta se mes Berishës dhe socialistëve ka pasur një marrëveshje të fshehtë për të shitur zgjedhjet lokale në Shkodër dhe në Kukës.

“Zonja Spiropali ke shumë të drejtë, të ka ardhur dita të thuash atë që ke ndërmend, por ju jeni në shkelje të ligjit për të bërë atë që bëtë në Kukës dhe në Shkodër për të përçarë opozitën, ju nuk doni që të flisni as për hallet e njerëzve dhe as për Kosovën”, akuzoi Basha./Zëri.ai  

Poll

MOS HUMB