
TIRANË- Kryeministri Edi Rama foli dje për “Financial Times” mbi situatën në veri të Kosovës. Në artikullin e parë, të sapopublikuar, shkruhej se kreu i qeverisë shqiptare e kishte konsideruar Kosovën, 'tokën e askujt'.
“Kosova është një pikë e nxehtë dhe me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku kombinohen të gjitha llojet e krimeve,”-shkruhet në artikullin e "FT". Menjëherë nisën reagimet kundër deklaratës së dhënë nga Rama, deri në sqarimin e gazetarit që mori intervistën dhe botoi lajmin e reagimit të kryeministrin për tensionet në Veri të Kosovës.
Tani artikulli është ndryshuar kështu: Kosova është një pikë e nxehtë. [Kosova e Veriut] është bërë me kalimin e viteve një tokë e askujt ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur.
Pas publikimit, vetë gazetari, autor i shkrimit, ka njoftuar lexuesit e tij për një lapsus në citimin që redaksia i ka bërë një fjalie të Ramës. Në fillim reagimin e ka bërë vetë gazetari Marton Dunai në rrjetet e tij sociale.
“E kemi ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin,”- shkruan gazetari i FT, Marton Dunai në rrjetin social X.
Më pas, një tjetër sqarim është bërë edhe në fund të artikullit.
"Ky artikull është ndryshuar për të sqaruar komentet e Edi Ramës për veriun e Kosovës."/Zëri.ai