Politikë

VIDEO/ Noka qëllon me rregulloren e parlamentit operatorin, dyshoi se po filmonte telefonin e Berishës

Flamur Noka nuk kërkoi falje edhe pse kjo ju kërkua nga drejtuesja e seancës Lindita Nikolla

E.K
VIDEO/ Noka qëllon me rregulloren e parlamentit operatorin, dyshoi se po
Flamur Noka dhe Berisha ne Kuvend

KUVEND- Një moment tensioni është shënuar në sallën e Kuvendit, me deputetin e Partisë Demokratike Flamur Noka, që ka qëlluar me rregulloren e Kuvendit një prej operatorëve të pranishëm në sallë (operatorin e Vizion plus). Shkak për këtë është bërë fakti se operatori në fjalë kishte fokusuar sipas tij telefonin e ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilit i kishte mbërritur një sms denoncuese në rrjetet e tij sociale. Noka është ngritur nga vendi dhe ka qëlluar operatorin i cili gjendej në pjesën e llozhave, dhe më tej i është drejtuar dhe me fjalët: Të shtyp si mizë!

Në lidhje me incidentin ka reaguar dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila tha se kameramanët nuk janë të Kuvendit, por të mediave të lira.

“Nuk mund të reagoni ashtu ndaj mediave, duke i qëlluar me rregulloren e Kuvendit”, iu drejtua Nikolla Nokës, ndërsa ky i fundit pretendoi se kameramanët ishin të Kuvendit.

Ky nuk është rasti i parë që deputetët ekspozohen ndaj syrit të kamerave, ndërkohë që është rasti i parë që një deputet shpreh në mënyrë të tillë revoltën ndaj një operatori. Nëse marrin në konsideratë rregulloren e Kuvendit, me të cilën Noka qëlloi operatorin, aty thuhet se deputetëve nuk u lejohet të përdorin telefonat në seancën plenare dhe nëse një deputet kryen një manovër që dëshiron që kamerat mos ta shohin, mund të mos e bëjë këtë gjatë seancës.

Pavarësisht kërkesës së Nikollës, që Noka të kërkonte falje, ky i fundit nuk e bëri një gjë të tillë, me pretendimin se operatori nuk duhet që të kishte filmuar celularin e tij./Zëri.ai.

Poll

MOS HUMB