
TIRANË- Kryeministri Edi Rama është rikthyer pas disa muajsh në Kuvend, ku ka folur për rezolutën antikorrupsion, që sipas tij lehtëson sfidën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Teksa iu drejtua shqiptarëve, Rama tha se socialistët kanë mbështetur Reformën në Drejtësi dhe punën e SPAK, duke bërë që për herë të parë në këto vite korrupsioni të zbrapset. Ndërkohë që një mesazh kryeministri e kishte dhe për deputetët e opozitës, të cilëve iu bëri të qartë se rezoluta do të votohej dhe pa ta. Ai iu kërkoi deputetëve kundërshtarë që të mos e bojkotojnë Komisionin e Posaçëm, që e vendos antikorrupsionin si një sfidë kombëtare.
FJALA E RAMËS:
Kjo draft rezolutë është ajo çka i duhet sot RSH-së nga ky parlament, për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në BE, në vitin 2030. Janë fantazuar qëllime të fshehta si vënia në kontroll e SPAK, apo se ne jemi kujtuar pas 10 vitesh që të luftojmë korrupsionin. Ndaj kemi ngritur edhe Reformën në Drejtësi, kush e pi njëherë po njëherë jo SPAK-un, tretet siç po treteni ju te rrugica e shpresës. Ne jemi futur në luftë me korrupsionin prej 10 vitesh. Ndaj kanë nisur dhe hetimet për zyrtarët e të gjitha niveleve, lufta që ne kemi nisur është serioze dhe pa kthim.
Kush rri e numëron, u paraqit ky apo u paraqit ai, thjesht do të zhytet vetë përditë e përditë në atë baltë, e do të nxihet nga mëria. Ata që nuk e kuptojnë që pa ne nuk do të kishte asnjë zyrtar pëerballë drejtësisë, nuk duan ta kuptojnë që është kthyer rrota e historisë së këtij vendi. Ata që kujtojnë se lufta ndaj korrupsionit, është një luftë që bëhet duke i rënë kazanit, se kanë idenë fare sa larg realitetit të kësaj lufte janë. Kjo është një luftë për mekanizma shtetërorë, institucional, që shkojnë përtej lenave dhe prenave. Unë do ta mbyll me dy nënvizime kyçe, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që korrupsioni në Shqipëri është një kancer i trashëguar, të cilit me reforma dhe me heqjen dorë nga kontrolli i drejtësisë, ka nisur të zbrapset dhe jo të mundet plotësisht.
Ja pse vijmë sot ne me këtë nismë në Kuvend. Të dytën e kam për të gjithë deputetët jashtë perimetrit të PS-së, ashtu siç nuk u ndal edhe Reforma në Drejtësi, edhe kjo nismë nuk do të ndalet. Nëse nuk gjeni forcën për ta votuar, mos e bojkotoni nesër Komisionin e Posaçëm Parlamentar. Kanë dalë gjërat siç iu kam thënë, dhe a e dini pse? Jo se unë jam më i zgjuar se ju, por sepse ju nuk keni dashur kurrë që ta kuptoni se vendimmarrjet deri te hunda jote, ta bëjnë rrugën shumë të gjatë. Shëndet dhe me mend në kokë!
Ngritja e Komisionit të Posaçëm synon të rrisë “presionin” monitorues ndaj ekzekutivit, dhe institucioneve të tjera, duke i dhënë Kuvendit rolin, ku institucionet e tjera, përfshirë dhe ato të drejtësisë të japin llogari, për ecurinë e punës dhe luftës ndaj korrupsionit. Draft-rezoluta sipas PS, do të veprojë brenda kuadrit ligjor dhe Kushtetuese. Kjo sipas propozimit të PS ka si qëllim afrimin e vendit me Bashkimit Europian, e cila sipas PS, arrihet vetëm duke funksionuar shteti ligjor dhe llogaridhënia. Megjithatë ende nuk dihet sesi do të funksionojë Komisioni i ri dhe se cilët anëtarët të opozitës do të bëhen pjesë të tij./ZËRI