Politikë

"Po zëvendësoni shqiptarët me të huaj", përplasje mes Ramës dhe shqiptarit në Michigan: Ke pyetje apo fjalim

Njëri prej përfaqësuesve, Arti Tamburi, i është drejtuar kreut të qeverisë shqiptare për rikthimin e shqiptarëve, duke thënë se qeveria nuk ka asnjë program për këtë. 

zh.ll
"Po zëvendësoni shqiptarët me të huaj",
edi rama ne shba

SHBA- Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën e tij disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, ku nuk kanë munguar edhe momentet e debatit.

Njëri prej përfaqësuesve, Arti Tamburi, i është drejtuar kreut të qeverisë shqiptare për rikthimin e shqiptarëve, duke thënë se qeveria nuk ka asnjë program për këtë. 

Gjatë takimit që ka patur me përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA, kryeministri Edi Rama pati edhe momente debati. Njëri prej tyre, Arti Tamburi gjatë fjalës së tij e vuri theksin tek politikat e qeverisë Rama duke thënë se nuk ka asnjë program konkret për rikthimin e shqiptarëve, por synon zëvendësimin e tyre me të huaj.

"Tirana zyrtare ka deklarata të tipologjisë që nuk dallojnë nga ato të Miroslav Lajçak. Në sensin e brendshëm, Shqipëria ka humbur mbi 1 milionë shqiptarë. Në vend të një strategjie jetike për rikthimin e këtyre të rinjve dhe të rejave që u dhemb zemra për atdheun, qeveria juaj servir jo rikthimin e shqiptarëve, por zëvendësimin e shqiptarëve. Sepse sipas retorikës tuaj, Shqipëria i përket “mikut”, gjithkujt përveç shqiptarëve”, u shpreh Tamburi.

Në vijim, përfaqësuesi i diasporës i drejtoi kryeministrit edhe një pyetje lidhur me qëndrimin e tij dhe ndikimin e protestave që vijojnë prej më shumë se 100 ditësh në Tiranë.

Që në nisje të fjalës së tij, Rama e ndërpreu Tamburin, duke e pyetur nëse kishte një pyetje për t’i drejtuar. Edhe në përfundim të ndërhyrjes, pati ndërhyrje të tjera që i kërkuan të vijonte me pyetjen dhe jo të mbante një fjalim.

Takimi në Michigan është pjesë e vizitës disaditore të kryeministrit Rama në SHBA, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas agjendës, kryeministri Rama do të marrë pjesë në hapjen e Debatit të Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalë. Gjatë vizitës, Kryeministri shoqërohet nga bashkëshortja, Linda Rama, dhe delegacioni zyrtar shqiptar./ZËRI

Poll

MOS HUMB