Politikë

“Policë punojnë me krimin”/ Edhe Balla i përgjigjet Dumanit: Na gjykojnë qytetarët!

Taulant Balla tha se Policia e Shtetit dhe SPAK kanë pasur një sërë aksionesh të suksesshme, pa rrjedhje informacione. Duke hedhur poshtë kështu pretendimet e Dumanit. 

k.m.
“Policë punojnë me krimin”/ Edhe Balla i përgjigjet
Taulant Balla

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka komentuar gjithashtu deklaratën e bërë nga Altin Dumani pak ditë më parë lidhur me "të inkriminuarit" brenda Policisë së Shtetit. Sot, teksa kishte dalë për të dhënë më shumë detaje lidhur me vendimet e Këshillit të Ministrave, Balla u përball edhe me një pyetje mbi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Si kundërpërgjigje, Balla tha se Policia e Shtetit dhe SPAK kanë pasur një sërë aksionesh të suksesshme, pa rrjedhje informacione. Duke hedhur poshtë kështu pretendimet e Dumanit. 

“Sa i përket bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme gjej rastin të them që në vlerësimin tim dhe të drejtueseve të Policisë së Shtetit, bashkëpunimi është i shkëlqyer. Më rezulton se nuk kemi asnjë operacion të përbashkët të Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë së Shtetit që të ketë pasur rrjedhje të informacionit. Të gjitha operacionet kanë qenë të suksesshme. Të gjithë personat për të cilët është lëshuar urdhër arresti janë mundur të identifikohen, të arrestohen nga Policia e Shtetit,"-tha Balla.

Pyetje: Një qëndrim tuajin në lidhje me bashkëpunimin që ka Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit me Prokurorinë Speciale por edhe me prokuroritë e rretheve, duke iu referuar eksperiencave të viteve të kaluara që akuzonin njëri tjetrin kryesisht për dëmtim të provave në vendngjarje?

Ministri Balla: Sot në mbledhjen e qeverisë janë miratuar edhe rekomandimet sa i përket luftës kundër kriminalitetit. Sa i përket bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme gjej rastin të them që në vlerësimin tim dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, bashkëpunimi është i shkëlqyer. Më rezulton që nuk kemi asnjë operacion të përbashkët të Prokurorisë së Posaçme dhe të Policisë së Shtetit që të ketë pasur rrjedhje të informacionit. Të gjitha operacionet kanë qenë të suksesshme, të gjithë personat për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste, janë mundur të identifikohen, të bëhet gati procesi, dhe më pas të arrestohen nga Policia e Shtetit. Ky bashkëpunim po vijon dhe në luftën për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që ka të bëjë me personat të cilët i shmangen drejtësisë, kështu që edhe në këtë aspekt, ne vijojmë të punojmë së bashku. Mund t’ju them p.sh., që t’i referohem operacionit të fundit, të iniciuar nga Policia e Shtetit që ka të bëjë me luftën kundër emigracionit të paligjshëm, dhe më pas me bashkëpunimin e shkëlqyer me Prokurorinë e Posaçme, i cili vazhdon. Deri tani janë arrestuar një numër i konsiderueshëm personash të përfshirë në rrjetet e trafikimit, por janë arrestuar dhe punonjës të policisë, kryesisht të Departamentit të Policisë Kufitare, të cilët janë të përfshirë në mbështetje të veprimtarive kriminale. Dua ta theksoj që procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit është një proces i rëndësishëm, është prioriteti im kryesor në detyrën e Ministrit të Brendshëm, dhe të mos harrojmë që ky lidhet drejtpërdrejt me bashkëveprimin me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, qofshin këto vendase apo të huaja. Kur them agjenci ligjzbatuese Prokuroria e Posaçme dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, janë aleatët tanë të rëndësishëm për ta çuar përpara këtë proces, dhe po ashtu dhe agjencitë e tjera sikurse është Interpoli, Europoli. Të mos harrojmë, këtu mund t’ju marr një shembull, - vlerësimi i agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese për vitin 2023, Policia Britanike dhe ajo Metropolitane e kanë shpallur Policinë e Shtetit si partnerin e tyre më të mirë, sa i përket bashkëpunimit. Kjo lidhet drejtpërdrejt me besimin dhe punën efikase nga Policia e Shtetit. Por unë nuk e fsheh që ne ende nuk jemi aty ku unë dua të jemi, që ka të bëjë me gjykuesin tonë kryesor, dhe gjykuesi ynë kryesor është publiku. Unë pres dhe punojmë çdo ditë bashkë me çdo punonjës të Policisë së Shtetit për ta bërë këtë institucion dhe këtë organizatë partnerin më të besueshëm për qytetarët. Ata janë që na gjykojnë!

Por çfarë tha Dumani lidhur me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit?

Disa ditë më parë, teksa raportonte për vitin 2023, u shpreh se disa aksione nuk mund që t'i bënin në bashkëpunim me Policinë e Shtetit për shkak se disa zyrtarë të lartë bashkëpunonin me krimin.

"Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër,"-tha Dumani para KLP-së.

Përgjigjen e parë e mori nga drejtuesi i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Sipas tij, mes SPAK dhe Policisë kishte marrëdhënie besimi. 

“Mund t'iu them që Policia dhe Prokuroria e Posaçme kanë marrëdhëniet më të mira të besimit, për goditjen e krimit të organizuar. Përtej çdo dyshimi që u ngrit padrejtësisht në ditët e fundit, operacioni është dëshmi e qartë e bashkëpunimit mes Policisë dhe SPAK, i mbështetur te besimi reciprok. Pavarësisht funksionit që kanë këta persona. Ftoj qytetarët që të vijojnë të mbështesin Policinë e Shtetit, nga të gjithë ata që cënojnë jetën dhe pronën e tyre. Prokurori ka kompetencën të kontrollojë hetimet, dhe është e drejtë e tij për të deleguar hetimet,”- u shpreh Rrumbullaku. Por Dumani nuk zgjodhi që ta komentonte më tej përgjigjen nga i pari i Policisë së Shtetit. Në të njëjtën linjë me të duket se është edhe ministri Balla./ZËRI 

Poll

MOS HUMB