
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar raportin e "Reporterët pa kufij" (RSF) lidhur me lirinë e medias në Shqipëri. Në këtë raport, Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit, ndaj edhe kreu i qeverisë ka premtuar ndërhyrë. Në një mesazh që ka dhënë në platformën e tij "X", Rama shkruan se e ka lexuar raportin dhe do ta analizojë me kujdes me të gjitha palët. Gjithashtu zotohet se qeveria e tij do të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, duke u shprehur i shqetësuar për gjetjet në raport.
"Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim globalisht. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence,"-shkruan Rama në postimin e tij.
Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”, ndaj edhe vendi ynëo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta. Sipas RSF, në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake, e po ashtu evidentohet se gazetarët bien viktima të krimit të organizuar. Në të njëjtin raport theksohet edhe fakti se në Shqipëri, konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve pengojnë pavarësinë e medias./ZËRI