
TIRANË- Senati i SHBA-së ka refuzuar David Kostelancik si ambasador në Shqipëri. David Kostelancik u propozua ambasador i SHBA-së në Tiranë nga Presidenti i SHBA, Joe Biden në janar të 2023, por senati i ka kërkuar këtij të fundit që të miratojë një kandidat të ri për postin e ambasadorit amerikan në vendin tonë. Akoma nuk dihet arsyeja e vendimit të Senatit amerikan në lidhje me kandidaturën e Kostelancik.
Duke qenë se kandidatura e tij nuk u miratua nga Senati, procedura parashikon se presidenti i SHBA-së Biden mund të çojë sërish të njëjtin emër, atë të diplomatit Kostelancik ose emër tjetër për të marrë miratimin e senatit si ambasador amerikan në Tiranë. Emri i ri që do të miratohet edhe nga senati do të zëvendësojë Yuri Kim, ndërsa aktualisht selia diplomatike e SHBA në Shqipëri drejtohet aktualisht nga i ngarkuari me punë David Vvisner, pas mbarimit të mandatit të Kim në korrik të këtij viti.

David Kostelancik, shërben aktualisht si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Gjeneralit Mark Milley. Ai ka shërbyer më herët si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
Kostelancik ka shërbyer edhe më parë në Shqipëri në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e re të SHBA-së në Tiranë. Para emërimit të tij si ambasador, ai shërbeu si Këshilltar për Politikën e Jashtme të Shefit të Shtabit, Gjeneral Mark Milley. Detyra të tjera ku Kostelancik është përfshirë janë Misioni i SHBA në OSBE dhe Misioni i SHBA në NATO, duke u fokusuar dhe në bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë, Ambasadën e SHBA në Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Turqi./ZËRI