
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla u pyet sot nga gazetarët në lidhje me personazhe të njohura të dosjes së inceneratorëve që nuk janë vënë ende në pranga, përfshirë dhe ish-numrin 2 të qeverisë Arben Ahmetaj. Balla tha se ai është vënë me kod të kuq nga Interpol Tirana, dhe do të bëhet çmos që të vendoset përpara drejtësisë.
Folëm për personazhe me tatuazhë që janë vënë në pranga, por për personat me jaka të bardha, si zoti Arben Ahmetaj, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe të tjerë persona, që fshihen pas tastierave ku kërkojnë pafajësinë e tyre?
BALLA: Sa i përket personave në kërkim, mua nuk më bën përshtypje asnjë emër, si ministër i brendshëm. Të gjithë personat janë në alarm të kuq, që është alarmi më i madh që ka Interpoli. Brenda informacionit që mund të ndaj me ju, Interpol Tirana për të gjithë personat që janë në kërkim, ka një detyrë shumë të madhe për të bërë. Vizita ime më e rëndësishme, ishte ajo që pata në INTERPOL, kemi nisur një fushatë të re bashkëpunimi që nuk e kemi pasur asnjëherë më përpara. Po mundohem që të lidh marrëveshje deportimi, me ato shtete që nuk kemi marrëveshje ekstradimi. Në dobi të dhënies fund të paligjshmërisë. Ky duhet të jetë një prej sukseseve që duhen konsoliduar. Kemi pasur raste që drejtësia ka pritur me vite, nuk dua të zgjatem më shumë, shpresoj që edhe gjatë muajit Janar të kemi rezultate të tjera, që personat që kërkohen me qiri nga drejtësia, të vihen para saj.
/ZËRI