
BERLIN- Gjermania nuk e mbështet idenë e një qasje të re ndaj dialogut Kosovë-Serbi! Manuel Sarrazin, përfaqësues special për vendet e Ballkanit Perëndimor pranë qeverisë gjermane foli për 'Euractiv' në margjinat e Procesit të Berlinit që u mbajt të hënën në Tiranë. Kur u pyet se çfarë mendonte për idenë e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka dërguar edhe një draft-marrëveshje tek superfuqitë e Bashkimit Europian, Sarrazin nuk u shpreh i bindur në zgjidhjet që do ofronte.
“Unë nuk besoj se është e arsyeshme të shpikësh diçka të re pasi të kemi arritur një marrëveshje të mirë,”- tha ai. Megjithatë, Sarrazin tha se të dyja palët kanë qenë mjaft të qarta, të paktën në fjalët e tyre, se i qëndrojnë marrëveshjeve të arritura deri më tani, veçanërisht marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të saj nga viti 2023.
“Mendoj se është thelbësore të përpiqemi të kemi një zbatim në rrugën e duhur dhe të kemi një histori pozitive dhe t'i bëjmë marrëveshjet funksionale,”-shtoi ai.
Sarrazin tha se qeveria gjermane është e vendosur të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të ashtuquajturin plan franko-gjerman që aktualisht është në tryezë. Sarrazin shtoi se "të gjithë" duan t'i përmbahen asaj që është rënë dakord në Ohër, duke përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe.
“Përshkallëzimi nuk duhet të jetë një mjet për të shkatërruar dialogun shumë lehtë. Ne duhet t'i fusim ata në rrjetin e dialogut dhe kur ata të përpiqen të dalin, jo, ne duam t'ju kthejmë në rrugën e duhur me atë që kemi rënë dakord dhe nuk do t'ju lëmë thjesht të dilni nga kjo,"- tha ai.
Sa i përket masave kundër Kosovës dhe masave të mundshme kundër Serbisë, Sarrazin e tha qartë se masat janë zgjidhja e fundit.
“Masat nuk janë asnjëherë një rrugë përpara, por ndonjëherë nëse kërkojmë diçka të dukshme siç e kemi bërë me Kosovën dhe tani siç po bën Bashkimi Evropian ndaj Serbisë, duhet të jetë gjithashtu e qartë se mos ndjekja do të ketë pasoja,”-shtoi ai.
Sa i përket nëse Kosova dhe vendet e tjera të rajonit mund të presin të jenë pjesë e BE-së deri në vitin 2030, Sarrazin tha: Në fund, ne duam që ju, ne duam që Ballkani Perëndimor të jetë i njëjtë...edhe në letër, me nënshtetësi europiane si ne.
Më qershor të këtij viti, në një konferencë për shtyp kryeministri Edi Rama bëri me dije se propozoi një draft për Asocacionin e Komunave serbe në Veri të Kosovës. Ky plan sipas tij ishte punuar nga ekspertët e lartë amerikanë dhe evropiane prej kohësh, në rast se të dyja palët Kosovë-Serbi nuk do merreshin vesh me njëra-tjetrën. Drafti nuk u bë kurrë publik, pasi kryeministri pretendonte se ishte një dokument konfidenacial i një niveli të lartë ndërkombëtar që do e çonte dialogun në një nivel tjetër. Deklarata e Ramës nuk u prit mirë, mbi të gjitha nga homologu Albin Kurti, i cili tha se nuk qeveria shqiptare nuk mund të ndërhynte në punët e brendshme të Kosovës. Aq më tepër pa u konsultuar me ta paraprakisht. Ky episod u pasua me bojkotimin e mbledhjes së dy qeverive nga ana e Ramës./Zëri.ai