
TIRANË- 29 tetori është shumë pranë...ndaj kryetarët e degëve të Partisë Demokratike janë mbledhur sonte në selinë blu. Tubimi i radhës i caktuar nga opozita pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, do të nisë në orën 17.00 këtë të martë. Ashtu siç kërkoi kryedemokrati, kësaj here, protesta do të mbahet në qarqe. Nga protestuesit demokratë do të bllokohen disa nga qarqet kryesore të vendit.
Akset që do të bllokohen janë rrethrrotullimi te “Kthesa e Kamzës”, aksi Milot- Shkozet, rrethrrotullimi Rrogozhinë, rrethrrotullimi Levan dhe rrethrrotullimi i Bradasheshit.
Pas arrestimit të Metës, ishte Sali Berisha ai që bëri thirrje se aksioni i opozitës do të mbahet më 29 tetor. Kryedemokrati kërkoi angazhim nga kryetarët e degëve, duke paralajmëruar që do të ketë paralizim të qarkullimit rrugor në akset kyçe në vend. Përveç këtij detaji, nuk dihet asgjë tjetër për aksionin e opozitës./ZËRI