
SHKODËR- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha se opozita ndodhet sot në Shkodër për t’u sensibilizuar me qytetarët kundër krimit që ndodhi disa ditë më parë në Dobraç. Ai tha se mesazhi i këtij marshimi është për qytetarët që të ngrihen kundër narkoregjimit, që po përpiqet të rrënojë Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë
“Nuk mundet Shqipëria, që ka hapur kapitujt e negociatave dhe është anëtare e NATO-s, të jetë vendi i krimit të organizuar, djepi i mafies. Shqipëria duhet të jetë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri normale.
Prandaj jemi këtu, për t’i thënë stop. Plani është marshim, protestë marshim kundër krimit politik, kundër krimit me fytyrë shtetërore. Policia nuk ka kohë të merret me ligjin, ka dalë nga binarët e ligjit pasi është një narkopolici. Në momentin që policia ka në fokus luftën kundër opozitës, kjo është domethënëse.
Policia është njësh me krimin, sikundër i gjithë regjimi është nën kthetrat e krimit. Mesazhi është për qytetarët të ngrihen kundër narkoregjimit, kundër krimit me pushtet, kundër këtij regjimi që po përpiqet të rrënojë Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Shqiptarët nuk mund të pranojnë një krim që është nën kthetrat e krimit”, tha Noka.
Pasditen e 30 tetorit, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe një kalimtareje të rastit, Flutura Bashës. Kjo e fundit po shkonte në shtëpi me të shoqin, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Tashmë ka nisur aksioni për kapjen e autorëve, por deri më tani pas ka mbetur vetëm makina e tyre e djegur. /ZËRI