BRUKSEL- Protestat që vijojnë prej 39 ditësh në Tiranë ishin pjesë e diskutimeve në mbledhjen e Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, ku Komisioni Europian bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe zhvillimin e saj në mënyrë paqësore.
Clive Rumbold, nga divizioni i zgjerimit për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, deklaroi se qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për tubim dhe shprehje, duke theksuar se kjo duhet të bëhet në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike.
Ai shtoi se zhvillimet po ndiqen nga afër nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, i cili ka qenë aktiv në terren që prej nisjes së protestës.
“Ne inkurajojmë të gjithë të përfshirët të jenë të qetë dhe nga ata tjetër të sigurohet një protestë e paqtë dhe e mbajtur në kushte të sigurta. Ata po ushtrojnë të drejtën e të mbledhurit dhe të shprehurit dhe duhet ta bëjnë këtë paqësisht sipas ligjit. Kjo është me rëndësi për vijimin e Shqipërisë në pasjen e standardeve demokratike e kësisoj në vijimin e rrugës europiane. Ne po i ndjekim këto zhvillime nga afër. Delegacioni ynë ka qenë në terren aktiv prej nisjes së protestës duke organizuar vizita dhe parë situatën”, u shpreh ai.
Përfaqësuesi i Komisionit Europian u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit dhe hetimet e SPAK për çështjen e pronave në Zvërnec. Ai nënvizoi se kjo çështje mbetet një prioritet në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ai kërkoi gjithashtu që Shqipëria të përmbushë angazhimin për rishikimin e ligjit për investimet strategjike deri në fund të vitit
“Ne kemi mësuar se ka një hetim aktiv të SPAK për sa i përket pronave në Zvërnec. Me lejoni të them se lufta kundra korrupsionit është në zemër të zgjerimit të BE-s dhe puna e deritanishme duhet të vazhdojë në Shqipëri. Ne shpresojnë të realizohet një studim i plotë mbi impaktin në ambient me standardet më të larta. Shpresojmë që Shqipëria ta mbajë fjalën për rishikim e ligjit të investimeve strategjike deri në fund të vitit. Dialogu mes të gjithë aktorëve është rruga që duhet të ndiqet”, tha ai.
Protestat në Tiranë, që kanë hyrë në ditën e 39-të, lidhen pikërisht me kundërshtimet e qytetarëve ndaj disa vendimmarrjeve për investime strategjike. /ZËRI