Politikë

Kush nuk ka pasur rezultate largohet! Rama mbledh kryesinë, paralajmëron drejtuesit e qarqeve

Prej kohësh socialistët kanë shpalosur vizionin e tyre për Shqipërinë e 2030, duke lënë të kuptohet se do të duan të fitojnë me çdo kusht mandatin e katërt qeverisës

E.K
Kush nuk ka pasur rezultate largohet! Rama mbledh kryesinë,
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, ka thirrur këtë të mërkurë mbledhjen e Kryesisë. Kjo është hera e parë që Kryesia e socialistëve mblidhet për vitin 2024. Në takimin e sotëm do të jenë të pranishëm drejtuesit politik të qarqeve dhe ministrat.

Burime bëjnë me dije për ZËRIN se mbledhja ka karakter organizativ të partisë. Në mbledhjen e sotme pritet që të bëhet një analizë për detyrat që drejtuesit në bazë kanë pasur në zgjedhjet e fundit dhe do vlerësohet puna e tyre në fushatën e shkuar. Nëse shihet se nuk ka pasur rezultate të kënaqshme do bëhet edhe ndryshimi i tyre.

Në mars pritet të mbahet Asambleja Kombëtare e PS por ende nuk është një datë e vendosur për organizimin e saj.

Prej kohësh socialistët kanë ndezur motorët për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, të cilat pritet që ti gjejnë në pozita të rehatshme, sa kohë që opozita është e përçarë në disa grupime.

Një prej temave më të rëndësishme të muajve të fundit, për politikën në tërësi është miratimi i Reformës Zgjedhore që do të duhet të përmbyllet brenda këtij viti. Çuarja përpara e saj duket e vështirë për shkak të përplasjeve brenda radhëve të opozitës. Megjithatë socialistët janë shprehur se do ta miratojnë atë edhe në rast se opozita vijon me skenarin e saj të bojkotit.

Nga ana tjetër, në mbledhjen e qeverisë që u mbajt në Lezhë, Rama ka kërkuar një bashkëpunim më të afërt mes ministrave dhe deputetëve. Sa i takon Reformës Zgjedhore, socialistët nuk pritet që të kërkojnë ndryshime të mëdha, dhe i qëndrojnë sistemit që kemi aktualisht, atij propocional rajonal me lista të hapura.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB