
TIRANË-Socialistët kanë tërhequr nga votimi në Kuvend projektligjin për amnistinë penale, për shkak se nuk i kanë siguruar 84 votat e nevojshme për miatimin e saj. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se socialistët nuk kanë mundur që të gjejnë dakordësinë me deputetët e Lulzim Bashës, të cilët njoftuan dje se do të bojkotonin seancën e sotme.
Aministia penale, u kthye në mollën e sherrit të radhës mes forcave politike, ndërsa projektligji zvarritet që prej afro 3 muajsh në korridoret e Kuvendit. Kur u duk se kishte një marrëveshje mes PS dhe deputetëve të Lulzim Bashës, këta të fundit u tërhoqën, pasi kërkuan që pjesë e faljeve të mos ishin persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme.
Kush do të përfitonte nga amnistia:
1. Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe persona të dënuar me mbi 3 vjet, por që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet.
2. Të dënuara gra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet dhe gra, që janë dënuar me vendim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet.
3. Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
4. Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
5. Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Nuk përfitojnë ata të dënuar për vepra penale:
krimet kundër njerëzimit;
krimet e rënda kundër jetës;
veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit;
krimet seksuale;
veprat penale kundër lirisë së personit;
veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit;
veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;
vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;
vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve;
veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve;
vepra penale kundër mjedisit;
krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;
krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera;
vepra me qëllime terroriste;
krime kundër autoritetit të shtetit;
vepra penale kundër drejtësisë;
vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;
vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.
/ZËRI