
TIRANE- Kuvendi votoi dje dekretet e presidentit Bajram Begaj për kabinetin e ri qeveritar. Fillimisht, deputetët e opozitës, bazuar në një kërkesë të Gazment Bardhit, kërkuan debat për emrat, por Lindita Nikolla refuzoi duke futur në votim shkarkimet dhe emërimet e reja. Olta Xhaçka nuk do të jetë më ministre e Jashtme. Ajo u shkarkua me 95 vota pro dhe 1 kundër. Vota kundër shkarkimit erdhi nga deputeti Erion Braçe.
Në vend të saj u votua Igli Hasani me 74 vota pro, 33 kundër. Më radhë u shkarkuan Ogerta Manastirliu me 110 vota pro, Evis Kushi me 99 vota, 1 abstenim dhe 3 kundër, Frida Krifca me 107 vota, Edona Bilali me 102 vota dhe 4 kundër,
Dy ministret e shkarkuara Milva Ekonomi dhe Evis Kushi
Milva Ikonomi u shkarkua me 98 vota pro, 2 abstenim dhe 2 kundër.
U emërua me 73 vota dhe 35 kundër Arbian Mazniku si ministër Shtetit për Pushtetin Vendor, me 73 vota dhe 32 kundër Albana Koçiu si ministre e Shëndetësisë.
Ministri për Pushtetin Vendor, Arbi Mazniku
Me të njëjtin rezultat votimi shkon edhe Manastirliu tek Arsimi ndërsa Anila Denaj zgjidhet ministre e Bujqësisë me 73 vota pro dhe 27 kundër.
Ndërkohë, u shty për seancën e radhës emërimi i ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete, për shkak të detyrës së anëtarit të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
Dorëheqja nga ky post u miratua nga deputetët me 95 vota pro, por emërimi në krye të ministrisë do të duhet të shtyhet për në seancën tjetër.
Specifika e Metës ka mbajtur pezull edhe votimin për Delina Ibrahimajn, konkretisht dekretit të shkarkimit nga detyra e ministrit të Ekonomisë dhe emërimin si ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit./Zëri