Politikë

Qeveria fali gjobat, PD: Vendimi u mor dy ditë para zgjedhjeve, u shkel ligji

Selia blu kërkon marrjen e masave ndërkohë që shton se të njëjtën gjë qeveria e ka bërë edhe para dy vitesh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve.

F.m
Qeveria fali gjobat, PD: Vendimi u mor dy ditë para zgjedhjeve, u shkel
Partia Demokratike

TIRANË- Partia Demokratike ka dënuar vendimin e marrë nga qeveria për të falur gjobat, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve. Në një deklaratë zyrtare, PD shkruan se e gjithë kjo procedurë po bëhet në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të barazisë në garë, në ditën e fundit të fushatës. Selia blu kërkon marrjen e masave ndërkohë që shton se të njëjtën gjë qeveria e ka bërë edhe para dy vitesh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve.

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë

Në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të barazisë në garë, në ditën e fundit të fushatës, Kryeministri në ikje ka firmosur një amnisti të gjerë, duke shkelur arbitrarisht, në mënyrën më anti-europiane të mundshme, ligjin dhe rregullat e garës.

I njëjti që i terrorizoi për 12 vjet me taksa, gjoba dhe përndjekje, tani bën si i mëshirshëm. Nuk ka asnjë pikë dhembshurie në zemrën e tij, por vetëm oreks për të prishur garën, për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, për të bërë hile, duke përdorur makinerinë e shtetit në ndihmë të partisë.

Ka bërë të njëjtën gjë para dy vjetësh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve. KQZ në atë rast bëri një interpretim lukashenkian, duke thënë se, në zgjedhje lokale i lejohej, por jo në të përgjithshme. Tani ligji shkelet në zgjedhje të përgjithshme.

Çfarë ka për të thënë z. Celibashi?!

Po SPAK dhe Prokuroria, që kanë ngritur task-forca për manipulimin e zgjedhjeve, çfarë kanë për të thënë për këtë megashkelje?

Partia Demokratike e ka në programin e saj elektoral amnistinë e gjobave dhe të faturave të papaguara, por për shtresat në nevojë, për të pamundurit, jo për abuzuesit.

Premtimi ynë qëndron, por asnjëherë në shkelje të ligjit, dhe në prishje të barazisë në zgjedhje.

Me këtë veprim Edi Rama shpërfill hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë.

Edi Rama është një gjobvënës: që nga 20 përqindëshi i lejeve si kryebashkiak, dhe deri te qindra milionat e incineratorëve. Me paraqitjen e rrejshme si gjobëfalës në vitin e 12-të të pushtetit, nuk gënjen askënd.

Çfarë vendimi u mor?

Qeveria shqiptare ka miratuar dy ditë përpara zgjedhjeve një vendim që fal një sërë gjobash dhe masash administrative të vendosura ndër vite ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Bëhet fjalë për gjoba të paekzekutuara deri në datën 15 janar 2025, të cilat janë vendosur nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024, nga:
a) inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit;
b) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
c) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
ç) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
d) Policia e Shtetit;
dh) Policia Bashkiake.

Poll

MOS HUMB