Politikë

Rama i kërkon ndjesë Markut: Isha i bindur që nuk do vije! Pedagogu: Si do e kërkosh mandatin e katërt?

Rama dhe Marku kanë lënë pas krahëve përplasjet mes tyre

E.K
Rama i kërkon ndjesë Markut: Isha i bindur që nuk do vije!
Edi Rama dhe Mark Marku

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një podcast me pedagogun e gazetarisë Mark Marku, të cilit i kërkoi falje për përplasjet e mëhershme të tyre. Rama tha se nuk e priste që Marku t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së tij, ndërsa u ndalën edhe te pikëtakimet e mëparshme mes tyre. I pyetur nga Mark Marku se ‘çfarë do u thuash shqiptarëve për një mandate të katërt’, Rama renditi arsyet.

Pjesë nga biseda:

Edi Rama: Sot në episodin e 13-të sezonit të 3-të të podcastit “Flasim’’ kam një të ftuar që për hir të vërtetës e ftova, por nuk prisja që do të vinte ose më saktë, më shumë isha i bindur që nuk do të vinte sesa do të përgjigjej menjëherë, ‘’Ok, do të vij’’. Mark Marku.  Takohemi pas relativisht një kohe të gjatë dhe jeta na ka çuar në udhëkryq përplasjesh me njëri-tjetrin edhe në debate televizive, por sot mesa duket distancimi ‘’higjienik’’ nga politika dhe përqëndrimi në profesion edhe në pasionin e mësimdhënies, plus edhe në përgjegjësinë e drejtimit të një departamenti të rëndësishëm të universitetit tonë, e ka bërë më të lehtë. Shumë faleminderit për pranimin e kësaj ftese edhe me shumë kënaqësi, jam unë tani që do të përpiqem ta përballoj denjësisht këtë sprovë, po për të hyrë pak …

Mark Marku: Faleminderit për ftesën dhe thatë që në kushte të tjera s’do kisha pranuar etj. Do kisha pranuar dhe në kushte të tjera.

Edi Rama: Jo në kushte të tjera, thashë në këto kushte nuk mendova se do kisha përgjigje pozitive. Aq më keq me një fjalë.

Mark Marku: Ah, ok. E pranova me kënaqësi, absolutisht asnjë hezitim.

Edi Rama: Tani të detyrohem një ndjesë për një arsye që nuk më bën krenar sot dhe aq më tepër që më ke nderuar me praninë këtu, por ta bëj ndjesën përpara se të bëj pyetjen: Në një moment të barrikadimeve gjatë fushatës së fundit, mos gabohem, ti ishe kandidat në Lezhë dhe unë në mitingun e Lezhës ta thoja emrin Mark Marku por me njëfarë ironie që nuk më bën krenar sot por ndërkohë kam dëshirë të të pyes për këtë, për emrin Mark Marku?!

Mark Marku: Në Mirditë zakonisht dikush merr emrin e gjyshit. Gjyshi ka pasur emrin Mark dhe është edhe një problem që shumë mirditorë por edhe shumë shqiptarë kanë në dokumentacion, që nuk mbahet një mbiemër stabël por mbiemri shkon duke u ndryshuar, për shembull Mark Marku e jo Mark Pjetër Prenga siç e kishte pasur im atë dhe po të shkoje kështu në linjë të vazhdueshme, po të respektohej e njëjta traditë, i bie që vazhdimisht ti të jesh përsëritje e mbiemrit të gjyshit. Ta kesh si mbiemër dhe kur kam ardhur në Tiranë, po themi pasi kisha botuar ciklin me poezi një mik im më tha kështu tha Mark Marku tha, ti qenka i ri tha, unë sa kisha mbaru gjimnazin. Unë të mendoja një 50 vjeç, 60, kështu edhe kishte edhe një përfytyrim epik që unë s’ia plotësoja fare, ishte zhgënjimi total në kuptimin dhe më tha; Pse nuk e ndërron emrin? Thashë po emri pse të ndërroj thashë se nuk e kuptoj. – Po jo, tha se me këtë emër, tha do paragjykohesh e tjerë e tjerë, emrin s’kam pse ta ndërroj, thashe nuk është se më pëlqen, as s’më pëlqen se nuk ka lidhje me vetë personin emri, aq më tepër kur s’e vë vete emrin e vet, por thashë nuk mendoj thashë, pastaj thashë më duket normal thashë jam mësuar me atë, dhe do më duket sikur s’jam unë ai personi në momentin që do ta thërrasin.

Edi Rama: Interesant, unë nuk e dija këtë të transformimin të emrit të gjyshit, gjithmonë mbiemër.

Mark Marku: Do të shfaqesh pas një viti në zgjedhje, 3 mandate, me të mirat e të këqijat e tij. Në një qeverisje të gjatë disa probleme themelore rëndojnë, korrupsioni, emigracioni i gjeneratave të reja. Çfarë do tu thuash shqiptarëve për mandatin e katërt. Kështu jemi mirë e vazhdojmë kështu. Apo do u thuash do bëjmë çfarë s’kemi bërë?

Edi Rama: Kështu jemi e vijojmë kështu, përpiqem të mos e them asnjëherë. Them po, ne mund të mos jemi më të mirët, por më mirë se ne nuk ka. Nëse ndihem I kënaqur nuk ka më motiv prandaj në këtë aspekt besoj e shpresoj nuk jam në rrezik.

Është e vërtetë që kemi probleme, pasi do ishte e kotë t’i mohonim por ne i kemi dhënë këtij vendi një mundësi që nuk e ka pasur më parë. Një drejtësi që vepron e pavarur nga pushteti politik. Kemi pasur ministra të pushkatuar edhe më përpara por ka qenë me vullnet politik dhe drejtësia ka qenë pushka për t’i vrarë. Kemi një moment shumë të rëndësishëm ndryshimi, sa është inkurajues dhe fragjil dhe garantimi i paprekshmërisë së procesit është i domosdoshëm. Nga ana tjetër lufta me korrupsionin nuk është thjesht lufta e drejtësisë, por një luftë për të pasur në të gjithë frontin e institucioneve një solidaritet dhe kapacitet që ia kushton hapësirat për ta luftuar….

Në këtë aspekt kemi bërë shumë gjëra pozitive. Duhet të ngremë shumë  më tepër stekën e luftës kundër korrupsionit në të gjithë frontin, jo thjesht tek drejtësia. Ky është momenti, njëri nga dy momente,  që ma bën më tundues se çdo gjë tjetër pozicionin në raport me mandatin e katërt. Se në kushte të tjera nëse do të kisha bindjen e plotësimit të mozaikut që kemi nisur me imazhin e Shqipërisë, turizmin e ngritjen e nivelit të turizmit, mbase nuk do të kisha më tundim.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB