
TIRANË- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në dialog për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Disa orë pasi ajo ka mbërritur në Shqipëri, një ditë para nisjes së samitit të Procesit të Berlinit, Von der Leyen doli në një konferencë për mediat bashkë me kryeministrin Edi Rama. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ajo ceku disa pika të rëndësishme, duke u ndalur më gjatë mes Kosovës dhe Serbisë. E pyetur se çfarë ndodh me 'marrëveshjen e Ohrit', të arritur në mars mes Kosovës dhe Serbisë, Ursula von der Leyen tha se ajo është rruga ku duhet ecur drejt Bashkimit Evropian.
Ndërsa Rama nga ana e tij tha se ka hapësirë për takime, por nuk do të ketë një deklaratë të përbashkët për dialogun mes dy vendeve dhe se asnjë nuk duhet të presë zgjidhje nga Samiti i nesërm. Kjo pasi pritet që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe homologia e tij serbe Ana Brnabiç, të ulen të hënën në një tryezë për herë të parë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
KOSOVË
Von der Leyen: Marrëveshja e Ohrit, është baza për pajtimin nëpërmjet dialogut të BE. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien mes tyre dhe kjo është e vetmja mënyrë nëpërmjet dialogut. Kjo është rruga e duhur për të ardhmen. Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Pra pajtimi, angazhimi dhe bashkëpunimi janë tërësisht të domosdoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu.
Rama: Procesi i Berlinit, si dhe samitet nuk janë vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale, por në programin e samitit që është përgatitur prej shumë kohësh në harmoni me kancelarinë gjermane dreka e punës e liderëve do t’i kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Hapësira për një diskutim të hapur mes të pranishmëve është programuar por nuk është një samit që merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme që siç e tha presidentja në lidhje me çështjen konkrete janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE”
Konflikti në GAZA
Von der Leyen: Me çfarë kam kuptuar nuk është parashikuar një deklaratë në samitin e Berlinit do të kemi një samit të Këshillit Europian një ditë më pas që do të kemi dhe një deklaratë. Është bërë publike, dënon fort sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelin dhe që Izraeli ka të drejtën që të mbrohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Duhet ofruar ndihmë humanitare për civilët në Gazë dhe viktimat e Hamasit. Prandaj kemi trefishuar ndihëm në Rripin e Gazës në 75 mln euro. Kjo është korniza në ditën e martë që është bërë publike
Edi Rama: Në këtë kornizë ne, shumë më parë se të ndodhte kjo që ka ndodhur mes Hamas dhe Izraelit, kemi përcaktuar një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësisë në Rajon, por asgjë më shumë, sepse nuk është ky qëllimi i këtij samiti. Vërtetë Tirana është kryeqyteti evropian i Ballkanit por nuk është kërthiza e Europës. Kërthiza e Europës është në Bruksel ku atje diskutohen këto tema.
Ndër të tjera, Von der Leyen sqaroi se po ndërtohet një e ardhme e përbashkët dhe kjo duhet të krijojë mundësi të reja tregtie, që ekonomitë e Ballkanit dhe Evropës të afrohen. Sipas saj, do të ndërmerren një sërë reformash ekonomikë të cila brenda këtij 10-vjeçari do të dyfishojnë ekonominë e vendit tonë. Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, planin e ri për Ballkanin do ta paraqesë nesër, me shumë gjasë gjatë punimeve të Samitit./Zëri.ai