
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka komentuar reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili mbështeti kryebashkiakun Erion Veliaj në reagimin e tij pas arrestimit të drejtorëve e ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë. Sipas Bardhit, mbështetja e kreut të qeverisë kundrejt Veliajt tregon që ka funksionuar presioni i këtij të fundit. Bardhi shton se Rama e Veliaj janë dy bashkëpunëtorë të afërt, ku fati i njërit përcakton fatin e tjetrit.
Reagimi:
Shantazhi i Erion Veliajt ndaj Edi Ramës funksionoi! Nuk janë thjesht dy hallexjinj të drejtësisë, por edhe dy bashkëpunëtorë të afërt, ku fati i njërit përcakton fatin e tjetrit. Prandaj sot Edi Rama mbështeti Erion Veliajn edhe më shumë sesa mbështeti vëllain e tij biologjik Olsi Rama, sepse e di që Erion Veliaj i ka në dorë fatin e pushtetit. Pasi Gjykata Antikorrupsion urdhëroi SPAK të hetojë edhe Erion Veliajn, Edi Rama zgjodhi edhe kësaj here të sulmojë opozitën. Asnjë fjalë për thelbin e çështjes, asnjë sqarim sesi vjedhja e të paktën 22 milion eurove nga buxheti i Bashkisë Tiranë i shpëtojë syrit të patronazhistëve të tij, që dinë gjithçka për çdo qytetarë, por nuk dinë që Shtabi Elektoral i Erjon Veliajt me nje skemë të pastër mashtrimi kanë vjedhur të paktën 22 milion euro. Çdo Kryeministër i pashantazhueshëm do kishte mbështetur Gjykatën Antikorrupsion që kërkon të hetohet Erion Veliaj, dhe kurrësesi këtë të fundit. Por ky nuk mund të jetë Edi Rama, që në të njëjtën mënyrë si Erion Veliaj, nuk dinë as çfarë bën i vllai, as çfarë bën zëvendësi i tij në Qeveri, as çfarë bëjnë ministrat e tij të korruptuar. Prandaj janë të dy njëlloj hallexhinjë të drejtësisë.
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë pasdite reagimet e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili në deklaratat e dhëna publikisht kërkoi që drejtësia të vijonte me analizimin e fakteve për drejtorët e ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë që janë vënë në pranga në kuadër të dosjes së etiketuar si ‘5D’. Në një konferencë të jashtëzakonshme, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mbejti një qëndrim publik, pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, në kuadër të dosjes së SPAK, të etiketuar ‘5D’. Veliaj nuk mohoi bashkëpunimin me një pjesë të emrave të përmendur në dosje, në punë që sipas tij i kanë ndryshuar fytyrën qytetit të Tiranës.
Çfarë është dosja “5D”?
Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë nën masën “Detyrim paraqitje”. “5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.
Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.
Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.
Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së.