
TIRANË- Socialistët kanë mbledhur këtë të hënë grupin e tyre parlamentar, ku do te bëhet prezantimi i kryetarit të ri, Niko Peleshi, i cili zevendëson në këtë post Bledi Çuçin. Në mbledhjen e grupit të PS-së kanë marrë pjesë edhe 3 ministrat e rinj të emëruar dje nga Rama, të cilët nuk gëzojnë mandat deputeti, por kanë shërbyer në poste drejtorësh. Ervin Hoxha mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Petrit Malaj mbante postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Pirro Vëngu mbante postin e kreu të Autoritetit Portual të Durrësit.
Burime bëjnë me dije, se edhe gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar, Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat në drejtim të një pjese të deputetëve, që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrat, dhe dalin në bazë vetëm për të bërë foto, dhe për të konfirmuar prezencën në momentin kur ai shkon në terren. Ai është shprehur se nga sot deri në prillin e vitit të ardhshëm deputetët do të jenë në test për një vend në listat e kandidatëve për deputetë.
“Urtësia e deputetit dhe fjala, janë kusht për shëndetin e mirë dhe mbarëvajtjen e partisë. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por jo tjetër gjë, përveçse shembulli që do të dëgjojë njerëzit dhe të zhvillojë dijet e veta për problemet me të cilat duhet të merret, për halle të mëdha dhe të vogla.
Të rritet, lartësohet në sytë e njerëzve, përmes punës që bën për vendin dhe për të mos harruar asnjëherë që tua qaj hallin atyre që nuk ua zgjidh dot. Kjo vlen për çdo deputet, por për këdo që merr vlerësimin dhe ka nderin që të jetë deputet i partisë më të madhe, më të besuar dhe fitimtare.
Të jesh deputet i kësaj partie është diçka që e konsideroj privilegj të pakrahasueshëm dhe të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve, është borxh i jashtëzakonshëm që nuk lahet dot deri në fund.
Atyre që më pyesin shpesh se ku e gjej gjithë këtë energji dhe durim, ua kthej me buzëqeshje, por s’kam se si rri asnjë orë rehat, përderisa ata që ma kanë bërë atë nder, s’janë rehat. Dua t’u kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë këtu të ulur mes nesh, që nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin jetik për detyrën që paguhen nga taksat e shqiptarëve.
Dua t’u kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm kur më shoqërojnë mua, apo për të bërë një fotografi prezence kur zhvillohet një takim fushate”, tha Rama dje në Kongres. /ZËRI