
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka është takuar me presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në fokus të takimit të sotëm kanë qenë zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Kjo pasi aleatët e opozitës do të duhet që të përcaktojnë përbërjen e listave shumëemërore ku do të listohen kandidatët për deputetë. PD e drejtuar nga Sali Berisha në këto zgjedhje e ka vetë vulën dhe logon e partisë, ndaj nuk ka më nevojë për ndihmën e Metës, pasi në zgjedhjet e fundit (ato lokalet), kandidatët garuan nën logon e koalicionit "Bashkë fitojmë". Ndaj ky takim ishte i fokusuar në maksimalizimin e votës së opozitës dhe fitoren e zgjedhjeve parlamentare.
Në takim, Meta nuk ka shprehur asnjë preferencë, nëse përballë Ramës duhet të futen me një listë të përbashkët kandidatësh apo me lista të ndara, duke ia lënë në dorë Partisë Demokratike që të marrë një vendim. Por nuk përjashtohet mundësia që secili të dalë me listat e veta në maj të vitit që vjen.
Pas takimit, në një konferencë për mediat, Meta ndau detaje nga takimi duke u shprehur se kanë biseduar për koordinimin e veprimit opozitar.
"Jam takuar dje me Nokën. Ka qenë një takim miqësor, është diskutuar për tema të ndryshme të bashkëpunimit, që nga përshkallëzimi i protestave dhe koordinimi më i mirë i veprimit opozitar, për të forcuar bashkëpunimit në drejtim të zgjedhjeve 2025. Zgjedhjet e 2025 janë të rrezikuara, apelojmë për rritjen e mobilizimit opozitar për të mbrojtur votën nga ky regjim. Partia e Lirisë ka nisur mobilizimin e saj në Tiranë dhe në rrethe, në mënyrë që të arrijmë një rezultat spektakolar në zgjedhje. E rëndësishme është fryma e aksionit opozitar ndaj narko-shtetit,"-tha ndër të tjera Meta.
Po ashtu, nuk e përjashtoi mundësinë që PL të dalë me logon e saj përballë zgjedhësve.
Pyetje : Për të arritur një rezultat sa më të mirë opozita, do të ishte më mirë të kishit një listë të përbashkët apo në lista të ndara?
Ilir Meta: Pa asnjë diskutim që Partia e Lirisë në cdo rast do të preferonte, në rradhë të parë fitoren e opozitës, në rradhë të dytë vendosjen e fitores së opozitës si objektiv të përbashkët të të gjithë forcave opozitare dhe pa asnjë diskutim do të preferonte gjithmonë që të dilte me Logon e saj, me Flamurin e saj, me programin e saj, pork jo është një cështje e cila nuk e vë në diskutim loialitetin e Partisë së Lirisë ndaj gjithë aksionit opozitar.
Javën e ardhshme do zhvillohen takime edhe me aleatët e tjerë.

Ndërkohë paralelisht, drejtuesit politikë të PD kanë zbritur në terren dhe kanë si objektiv kryesor rikthimin e individëve që kanë ikur nga partia përgjatë viteve dhe përplasjes së 3 viteve të fundit në selinë blu mes dy grupimeve Basha-Berisha. Përveç rikthimit të të ikurve, PD duket se në fokus ka edhe protestat. Deri më tani nuk ka asnjë aksion të paralajmëruar, por nuk përjashtohet që në javët në vijim të ketë një aksion nga opozita.
E teksa opozita ka nisur nga puna me takimet, edhe socialistët nuk kanë mbetur mbrapa. Vetë kryeministri Edi Rama ka mbajtur "retreat-e" të ndryshme me deputetët, ministrat dhe kryetarët e bashkive duke i kërkuar një mandat të katërt qeverisës./ZËRI