
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se çdo punonjës i policisë që ka pasur akses në aplikacionin SKY ECC do të përjashtohet nga radhët e policisë së Shtetit. Balla i bëri deklaratat gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Çështjet Europiane.
Ministri tha se do të përjashtohen të gjithë punonjësit e policisë që kanë pasur akses në rrjetet e koduara, edhe nëse në komunikimet e tyre nuk provohet aktiviteti kriminal. Ministri tha se ata punonjës kanë thyer kodin etik.
Balla kujtoi deklaratat e tij kur mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ku tha se policët e kanë të ndaluar që të ulen në tavolinë me eksponentë të krimit, dhe i njëjti parim do të vlejë dhe për këto takime virtuale që mund të kenë ndodhur në rrjetet e koduara.
“Kemi një numër të konsiderueshëm të punonjësve të policisë të arrestuar për shkak të shkeljeve, ku ka edhe shkelje të procedurave të kalimit kufitar. Procesi i vetëpastrimit të Policisë është një prej çështjeve më të rëndësishme që unë vlerësoj që janë pjesa e kalimit të policisë në një nivel tjetër, ku qytetarëve të ju kthehet besimi tek policia.
Në këto 30 e kusur vite ka pasur dhe ka punonjës policie të cilët rezultojnë të jenë të përfshirë ose në kontakte me botën e krimit dhe duhet të ju informoj se i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore që ne të kemi informacionin sa shpejt të jetë e mundur dhe po e them këtu në Kuvendin e Shqipërisë që për çdo punonjës Policisë së Shtetit, i cili do të rezultojë të ketë pasur akses në rrjetet komunikimi qoftë Sky apo EncroChat do të përjashtohet nga Policia e Shtetit edhe në rast se në ato komunikime nuk rezulton të ketë një aktivitet kriminal, por thjesht dhe vetëm fakti që ka aksesuar një rrjet të tillë, kjo është pjesë e angazhimit tim që ditën e parë të punës që lidhet me Kodin Etik të Policisë së Shtetit.
SPAK po zhvillon hetime të thelluara dhe besoj se shumë shpejt do të kemi disa rezultate konkrete, ku do të vetëpastrohet jo vetëm policia prej tyre, por edhe shoqëria. Vetëpastrimi është i rëndësishem dhe pastaj që mbi bazën e këtij lloj vettingu të ri në Policinë e Shtetit, të krijojmë një strukturë të re të Policisë së Shtetit dhe këtu dua ta informoj kuvendin me një njoftim që kam bërë dje për krijimin e një strukture të re brenda Policisë së Shtetit. Ne do të kemi një forcë kombëtare të sigurisë publike e cila do të riparojë efikasitetin dhe eficencën e policisë në nivel vendor”, tha Balla.
Nga ana tjetër ministri Balla ka garantuar se sistemi TIMS i Shqipërisë është i sigurtë dhe prej andej nuk ka pasur rrjedhje të dhënash. Balla tha se sistemi TIMS është një nga më të fortifikuarit, edhe për shkak të mbështetjes së madhe që kanë dhënë partnerët për funksionimin e tij.
“Dua t'i siguroj qytetarët shqiptarë dhe të huaj se të dhënat e tyre janë të sigurta, nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem i fortifikuar. Dua të them që sistemi ynë i TIMS është sulmuar ne verën e kaluar, pas sulmit kibernetik që pësoi Shqipëria, por tashmë sistemi është 100% funksional. Pretendimet për një çështje të operimit të brendshëm, dhe me një backup që është procedurë e brendshme, nuk ka asnjë shqetësim për rrjedhje të dhënash. Ministri i Brendshëm është informuar në kohë reale nga personat që kishin pretendime për këtë procedurë të brendshme, i kam kërkuar drejtuesit të policisë dhe AMP-së që të nisnin hetimet për këtë rast. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim që unë e mbështes plotësisht”, tha Balla.
Ç’kodimi i mesazheve në aplikacionet “Sky” dhe “Encro” nxori zbuluar zyrtarë të lartë shtetërorë dhe eksponentë të krimit të organizuar, një pjesë e të cilëve u arrestuan më 27 korrik nga SPAK. Emrat e parë që tërhoqën vëmendjen e opinionit, ishte arrestimi i biznesmenit Pëllumb Gjoka, drejtuesit të prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe ish-drejtuesit të Grupit të Operacionales, Olti Bistri.
Ervis Martinaj i zhdukur prej 1 viti pa gjurmë dhe Behar Bajri, plotësuan tablonë e grupit kriminal të mirëorganizuar të shpallur në kërkim. Të gjithë gjenden të pleksur tek vrasja e Gjin Ndojit. Kjo vrasje dhe zbardhja e tre tentativave për vrasje, duke se i fundosi të gjithë. Grupi bëri plan për të vrarë Kleant Musabelliun, Ibrahim Licin, Dorian Dhuli, Taulant Pepajn, Genc Tafilin dhe vëllain e Dhulit.
Ndërkaq duhet theksuar se 16 mijë shqiptarë rezultojnë të jenë abonentë në aplikacionin “SKY”. Europol bëjnë me dije se 10% e SKY është referim shqip. Mësohet gjithashtu me dije se po gjenerohen mesazhe pa fund dhe se Shqipëria ka kërkuar 6 poste pune për shkak të volumit, por i dhanë vetëm 2 pasi nuk ka vende sepse agjentë nga e gjithë bota po punojnë për llogari të vendeve të tyre.
Po çfarë është aplikacioni SKY?
“SKY ECC” është aplikacioni ku njerëz të përfshirë në botën e krimit flasin për organizimin e trafiqeve, porositjen e vrasjeve dhe gjithçka tjetër mbi aktivitetin e tyre kriminal. Dekriptimi i SKY ka çuar në arrestime të emrave të rëndësishëm të botës së krimit. Aplikacioni është çmontuar dhe është mbyllur në vitin 2021 nga një operacion i Europol. Për ta shkarkuar dhe përdorur, duhej të kishe një telefon të posaçëm./Zëri.ai