
TIRANË- Gjykata e Apelit e GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit, për t'u betuar si kryebashkiak i Himarës. I pranishëm përpara gjykatës, Vangjel Dule tha se vendimi i sotëm i trupës gjykuese nuk është i drejtë, duke shtuar se Rama kërkon të mbajë kryebashkiak në Himarë një person që nuk është zgjedhur nga populli.
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri ka kërkuar sërish nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) lirimin e tij nga burgu për tu betuar si kryebashkiak. Gjatë fjalës së tij në seancë, Beleri ka akuzuar trupën gjykuese se duke mos e dhënë një vendim të tillë po dëmtojnë ata dhe familjen e tij. Sipas tij në gjyqin ndaj tij janë dëgjuar çudira ndërsa është shprehur se “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ndërsa trupa gjykuese është tërhequr për vendim.
Fredi Beleri: Ndaj meje po bëhet një padrejtësi për interesa politike dhe financiare. Zgjatja, shtyrja, përcjellja nga gjykata në gjykatë, veprimet tuaja për shtyrje të seancës nuk janë mënyra e duhur e gjykatës për të dhënë drejtësi. Po më dëmtoni mua, por edhe familjen time. Po ashtu po shkaktoni qëndrime armiqësore, duke na ndarë në grekë dhe jo grekë. Mbështetja e qytetarëve të Himarës më ka dhënë forcë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Po dëgjojmë çudira në këtë gjyq.
I ashpër jashtë GJKKO-së -së pas seancës gjyqësore ka qenë dhe kreu i Partisë për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule. Ky i fundit u shpreh se arsyeja pse Beleri qëndron në burg është Kryeministri Edi Rama.
-
S'do betohet! Rrëzohet kërkesa e Belerit, Dule 'shfryn' para mediave
11 Dhjetor, 17:47
Vangjel Dule: Është për të shprehur keqardhjen për republikën tonë, demorkacinë tonë. Çështja Beleri nuk është asgjë më tepër sesa një kakofoni drejtësie ku tekstin, muzikën dhe orkestrimin e realizon një autor ekskluziv, Edi Rama kryeministri. Belerit prej muajsh, i privohet e drejta themelore, ndërsa qytetarëve u privohet e drejta për të zgjedhur. Kryetari ne bashkisë e kanë zgjedhur dhe kryetar nuk kanë. Çështja është një dhe e vetme. Rama kërkon me çdo kusht të mbajë në krye të bashkisë së Himarës një kryetar që nuk e kanë votuar qytetarët me qëllim që të vazhdojë aferat korruptive që kanë qëllim tjetërsimit e statusit pasuror. Kjo nuk është një ndërhyrje në punët e drejtësisë por një mendim që mund të shprehim për një vendim. Ndërhyrje në drejtësi është ajo që dëgjuat në intervistën e kryeministrit Rama. Janë momente shumë të vështira që krijojnë precedent të rrezikshëm që cënon shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësosë.
Ndërkohë gjatë kohës që në sallën e gjyqit mbahej seanca dhjetëra persona u mblodhën përpara Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke protestuar për lirimin e Belerit. Protesta u thirr nga organizata OMONIA, ndërsa Beleri mbahet në burg që prej muajit maj nën akuzën e blerjes së votave.
Protestuesit kërkojnë që Beleri të lirohet nga burgu dhe të kryejë betimin si kryebashkiak i Himarës, një thirrje e përsëritur vazhdimisht edhe nga Athina zyrtare. Në gjyqin e fundit, me mbikëqyrjen edhe të ambasadores greke Konstantina Kamitsi, Fredi Beleri, refuzoi të pyetet nga prokurorët e posaçëm të SPAK, pasi sipas tij SPAK ka depozituar akte të njëanshme, një version që është kundërshtuar më herët nga gjykata e posaçme.

Gjatë këtyre seancave të monitoruara nga pala diplomatike e Greqisë, ai këmbëngul se arrestimi i tij është politik dhe se po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë. SPAK e ka kundërshtuar këtë qëndrim, për këtë arsye vazhdon të refuzojë dhe kundërshtojë betimin e Fredi Belerit për të marrë drejtimin e Bashkisë së Himarës.
Beleri akuzohet për korrupsion zgjedhor, pasi pagoi një qytetar i cili dëshmoi se mori para dhe ia dha qytetarëve në këmbim të votave. Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit. Athina ka ashpërsuar qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen Beleri./ZËRI